Vepra e Fatmir Toçit, një “Akullthyes” që shpërndan akujt e asimilimit në shoqëritë shumetnike

Është për t’u admiruar përpjekja e botuesit dhe publicistit Fatmir Toçit që të sjell në vëmendjen e publikut një pjesë të trungut tonë të shkëputur etnik, por asnjëherë të harruar. Libri “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” i shkruar me pasionin e gjurmuesit hedh dritë mbi një gjeografi të zhvendosur etnike, e cila arriti të ruaj kontinuitetin e vet historik, kulturor, gjuhësor e socio-psikologjik në saje të lidhjeve të brendshme të komunitetit arbëresh, i cili edhe pse u integrua tërësisht në shoqërinë italiane, ai megjithatë nuk u asimilua dhe nuk e humbi identitetin thelbësor, siç është gjuha.

Librin e Fatmir Toçit duhet parë edhe si një databazë e të dhënave të vlefshme, që ta përkujton një kasafortë ku ruhen gjevahirë të çmueshëm. Ajo që e bën të veçantë këtë libër është kujtesa kolektive arbëreshe, si një kod me të cilën mbyllet dhe hapet kjo kasafortë.

Por, përtej kësaj, arbëreshët në këtë libër i shohim të profiluar si personalitete me ndikim në lëvizjen kulturore e politke shqiptare, sidomos para dhe gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Me këtë rast nuk duhet harruar edhe themeluesin e romantizmit shqiptar, Jeronim De Rada, i cili përpos që krijoi një letërsi tepër të avancuar, me identitet evropian, ai i dha hov zhvillimit të jetës kulturore e letrare që nxori një plejadë të shquar emrash eminent të letërsisë arbëreshe.

Autori si një mjeshtër i sprovuar në zanatin e evidentimit të të dhënave , ka arritur që magjinë e jetës arbëreshe ta shtrijë në periudha të ndryshme historike, që nga fillimet e zhvendosjes së tyre pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut e deri në ditët e sotme.

Ky libër na e bën më të qartë se pse dhe si arbëreshët arritën t’iu mbijetojnë furtunave të asimilimit, por edhe rrezikun që sjell modernizimi dhe globalizmi, ku edhe arbëreshët e Italisë në pikëpmaje kulturore janë viktimë e këtyre fenomeneve të kohës.

Pasi ta kemi lexuar librin “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit”, kuptojmë se rëndësia e kësaj vepre është e shumanshme. Në radhë të pare, ky libër vjen si një inventarizim pedant i jetës arbëreshe nëpër
kohë e vende të ndryshme.

Arbëreshët e Italisë shërbyn edhe si urë lidhëse në mes të shqiptarëve dhe Evropës. Libri i Fatmir Toçit zbërthen pikërisht këtë kontekst kulturor të zhvillimit të krijimtarisë arbëreshe, duke filluar nga tradita gojore, e deri te letërsia , muzika, artet pamore e skenike.

Veprat e tilla, si kjo e Fatmir Toçit, janë “akullthyesit” më adekuat që shpërndajnë akujt e asimilimit në shoqëritë shumetnike, prandaj botimi i këtij libri le të jetë edhe një kambanë alarmi për parandalimin e rrezikut që i kanoset të ardhmes së arbëreshëve të Italisë