Vazhdon karvani për vaksinim kundër KOVID-19, nga java e ardhshme pritet lehtësim i disa masave

Shkup, 25 mars – Vazhdojnë aktivitetet rreth karvanit për promovimin e vaksinës kundër koronavirusit. Dje karvani ishte organizuar në Sheshin e Qytetit në Strumicë, ndërsa sot vazhdon në Komunën e Novo Sellës.

Ky karvan zbatohet me qëllim që ta promovojë vaksinën kundër virusit si mënyrë e imunizimit të sigurt të të gjithë qytetarëve, veçanërisht e atyre vendeve përgjatë vendit, ku është i ulët niveli i interesimit.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 281 raste të reja të KOVID-19, prej të cilëve 48 janë riinfeksione. Janë shëruar 285, ndërsa kanë ndërruar jetë tre persona.

Më shumë rastet aktive ka në Shkup – 1132, Manastir – 148 dhe Prilep – 103, ndërsa qytetet e tjera kanë raste pozitive dyshifrore. Aktualisht nuk ka persona pozitivë me virusin në Pehçevë dhe Dojran.

Sa i përket lehtësimit të masave, gjatë ditëve të ardhshme pritet që Shtabi Qendror Koordinues t’i shqyrtojë propozimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, ndërsa më vonë të njëjtit të miratohen në mbledhjen e ardhshme qeveritare.

Komisioni javën e kaluar rekomandoi për nxënësit e shkollave fillore të mos jetë e detyrueshme mbajtja e maskave, si dhe të mos jetë e nevojshme certifikatë për vaksinim ose për kovid-19 të kaluar për vizitë në pjesët e hapura dhe tarracat e objekteve hotelierike.

Deri më tani në vend janë bërë gjithsej1.946.588 testime për KOVID-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me kovid në vend prej fillimit të epidemisë është 304.326, numri i pacientëve të shëruar është 293.171, i të vdekurve është 9.191, ndërsa i rasteve aktive 1.964.