Vazhdon gjykimi për “Onkologjinë”, duhet të dëgjohen ekspertët nga Sllovenia
Shkup, 9 shkurt – Me dëgjimin e ekspertëve nga Sllovenia, të cilët i kanë punuar ekspertizat mjekësore për Prokurorinë, sot në Gykatën Themelore Penale në Shkup duhet të vazhdojë gjykimi kundër ish drejtorit të Klinikës për Onkologji, Nino Vasev, i cili së bashku me dy onkologë tjerë është akuzuar për trajtim jo adekuat të pacientëve.
Rasti është në procedurë dëshmuese dhe e udhëheq gjyqtarja Snezhana Markovska, ndërsa për dëgjimin e ekspertëve nga Sllovenia janë caktuar disa seanca këtë javë.
Në pajtim me dinamikën e njoftuar, kah fundi i marsit duhet të fillohet me dëgjimin e ekspertëve nga Serbia, të cilët gjithashtu kanë punuar në ekspertizën mjekësore për Prokurorinë.
Ish drejtori i Klinikën për Onkologji, Nino Vasev, dhe dy onkologë – Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të punësuar në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji-Shkup, akuzohen për trajtim joadekuat të pacientëve. Procedura filloi kundër një onkologe tjetër, e akuzuara e dytë Meri Peshevska, e cila e pranoi fajin para gjykatës pas së cilës gjykata e dënoi me dy vjet burgim me kusht.
Aktakuza i ngarkon mjekët për vepra të rënda të vazhduara kundër shëndetit të njerëzve dhe trajtim joadekuat, me ç’rast te 29 pacientë u aplikuan terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa vlerësim adekuat të gjendjes shëndetësore, Përveç kësaj, kundër Vasevit dhe ish drejtorit ekonomik në Klinikë është dorëzuar edhe një aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe përvetësim, me dëm prej mbi 2,2 miliardë denarë të buxhetit shtetëror.

