Vazhdojnë apelet për vaksinim, ka kohë për heqjen e maskave

Shkup, 22 mars – Gjatë ditës së djeshme, pas shumë kohësh, është regjistruar numër dyshifror i rasteve të reja pozitive me koronavirus. Janë konfirmuar 64 persona pozitivë me kovid-19, 12 prej të cilëve janë riinfeksion. Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali thotë se rënia e numrit të rasteve të reja nuk është tregues se kriza kovid është tejkaluar dhe “është ende herët për të hequr maskat”.

Institucionet kompetente apelojnë për vaksinim më masiv, ndërsa nga dje ka nisur edhe karvani për vaksinimin kundër virusit, i cili synon promovimin e vaksinës si mënyrë e imunizimit të sigurt. Filloi në Shuto Orizarë dhe në dy javët e ardhshme do të përfshijë 14 komuna.]

Karvani për vaksinim kundër Kovid-19 nesër nga ora 12:00 deri 16:00 do të jetë në sheshin në Kratovë. Ditëve të ardhshme karvani do të jetë në Radovish, Strumicë, Novosellë, Shkup (para Ist Gejtit), Kumanovë, në fshatin Matejç në Likovë, në Haraçinë, fshatin Sandevë në Çuçer Sandevë, Zelenikovë, fshatin Negotinë në Vrapçisht, Kërçovë dhe Strugë.

“Kriza me kovid-19 ende nuk është tejkaluar dhe u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të kenë qasje në pikat e vaksinimit. Falënderoj të gjithë profesionistët e shëndetësisë që na përkrahin në këtë aksion dhe të gjithë mjekët amë që e mbështetën iniciativën tonë duke ftuar pacientët e tyre të rrezikuar”, tha ministri i Shëndetësisë Bekim Sali.

Sa i përket masave të propozuara nga Komisioni për Sëmundjet Infektive, Sali pret që sot të mbahet një mbledhje në Shtabin e Përgjithshëm të Krizave dhe më pas ato të votohen në seancën e qeverisë.

Një nga rekomandimet është që nxënësit e shkollave fillore të përjashtohen nga mbajtja e maskave. Ai shtoi se dëshiron që të gjithë të jenë pa maska, por situata reale nuk e lejon.

“Çdo ditë ja nga 250 deri 300 të infektuar të rinj që do të thotë se ende nuk jemi në nivelin që e dëshirojmë. Të infektuarit e rinj i kemi tregues se ende virusi qarkullon në popullatë. Sipas të dhënave ne jemi në zonën e gjelbër, por nuk jemi ende gati t’i heqim maskat”, shtoi Sali.

Gjatë ditës së djeshme, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, janë regjistruar 296 pacientë të shëruar dhe katër të vdekur.

Deri më tani në vend janë kryer gjithsej 1.938.935 testime të KOVID-19. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me KOVID në vend që nga fillimi i epidemisë është 303.418, numri i të shëruarve është 292.344, numri i të vdekurve është 9.184 dhe numri i rasteve aktive është 1.89.