Propozim-ligji për « përfaqësim të drejt dhe adekuat », përplas pushtetin me opozitën
Shkup, 8 prill, medial.mk/ – Pas shfuqizimit të « balancerit » si mekanizëm në fuqi dikur për të rregulluar balancën etnike në punësime në sektorin publik, qeveria aktuale premtoi një ligj të ri përfaqësim të komuniteteve.
Të martën qeveria e miratoi propozim-Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, për ta shndërruar këtë parim kushtetues në detyrim ligjor për të gjitha institucionet shtetërore.
Pas këtij hapi fjala përfundimtare kalon në Kuvend apo vendin e ligjeve ku do duhet të kalojë një filtër të detajuar, por ky ligj ende pa filluar debati në kuvend shkaktoi përplasje mes pushtetit dhe opozitës, shkruan Zhurnal.
Dritë jeshile edhe nga qeveria
Miratimi i këtij propozim-ligji bëhet pasi që Komisionit të Venedikut i Këshillit të Evropës në Dhjetor 2025 bëri një varg vërejtjesh e rekomandimesh për mënyrën se si ai duhet të qartësohet edhe më tutje në detaje e sidomos kur është çështja e zbatimit të tij në praktikë.
Zëvendës-kryeministri i parë, Bekim Sali, përkujtoi se propozim-propozim-ligji vjen pas shfuqizimit të “balancuesit” nga Gjykata Kushtetuese. Ai tha se versioni i miratuar nga qeveria ka përfshirë edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe të harmonizuar juridikisht.
Sipas Sali, propozim-ligji parasheh krijimin e një trupi koordinues që do të monitorojë zbatimin, si dhe harmonizimin e legjislacionit brenda gjashtë muajve. Sipas tij qëllimi është eliminimi i paqartësive dhe keqpërdorimeve të deritanishme, si dhe ndërtimi i një administrate profesionale, transparente dhe shumë-etnike.
Sjelljes së këtij propozim-ligji i gëzohet edhe njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, i cili e shfrytëzon këtë propozim-ligj si shembull krahasues me përbërjen e kaluar qeveritare.
“Për shtetin, kjo do të thotë institucione më të forta. Ne nuk premtojmë zgjidhje të lehta. Ne sjellim zgjidhje të qëndrueshme. Ky është dallimi. Kjo është përgjegjësia. Ky është VLEN”, thekson Mexhiti në postimin e tij në rrjetet sociale.
Për opozitën “terr e zi” ky ligj
Propozim-ligji për përfaqësim të drejt dhe adekuat ka zgjuar opozitën me reagime të ashpra duke kundërshtuar përmbajtjen e tij dhe hartuesit. Opozitarët shqiptarë me këto qëndrime tregojnë qartë që nuk do ta mbështesin as në Kuvend.
Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së, e cilëson propozim-ligjin si një “ligj karikaturë”, duke kritikuar zëvendësimin e balancerit, formulë obligative ligjore për garantimin e përfaqësimit të drejtë, me një komision që vetëm një herë në vit do të raportojë për përfaqësimin.
Nga ana tjetër, Arbër Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së, e sheh propozim-ligjin si një instrument diskriminimi dhe jo të drejtash etnike. Ai mes tjerash thotë se propozim-ligji i Karakamishevës nuk parasheh kuota etnike, nuk obligon institucionet të identifikojnë qytetarët sipas etnisë për punësim apo avancim dhe nuk ka dispozita sanksionuese.
Nga Venecia në Qeveri, nga Qeveria në Kuvend
Draft propozimin fillestar e kishte hartuar zëvendëskryeministri, Arben Fetai, me një grup punues ekspertish, të cili këtë version e kanë dërguar në Komisionin e Venecias, nga atje u dha sinjal pozitiv por dha edhe rekomandime për harmonizimin e tij me standardet evropiane dhe për të shmangur paqartësitë juridike.
I gjithë procesi fillon kur Qeveria e dërgon draftin në Kuvend, ndërkaq, kryetari i Kuvendit ia shpërndan komisioneve përkatëse. Fjala është për Komisionin Juridik-Ligjvënës dhe komisionet e tjera relevante si për administratë dhe për çështje të komuniteteve. Pas shqyrtimit të propozim-ligjit Komisionet japin mendime dhe rekomandime.
Rrugëtimi i radhës është seanca plenare që ndryshe njihet si leximi i parë, ku deputetët diskutojnë parimet e përgjithshme të propozim-ligjit. Pas debatit, votohet në parim. Më pas, vijon leximi i dytë që ka të bëjë me diskutimin që zhvillohet nen për nen.
Mund të paraqiten amendamente shtesë, që zakonisht ndodhë nga opozita që në këtë momentum të paraqesin një varg amendamentesh që shpesh herë kjo hapësirë është shfrytëzuar edhe për të bllokuar ligjet.
Komisionet i shqyrtojnë amendamentet dhe i sjellin në seancë plenare. E më pas vjen edhe Leximi i tretë apo final në të cilin ndodhë diskutim për tekstin e konsoliduar. Dhe çështja e votimit përfundimtar.
Ky propozim ligj duhet të votohet me “Badenter”
Ky ligj hyn në kategorinë e atyre që prekin të drejtat e komuniteteve etnike, prandaj kërkon edhe procedurën e Badenterit.
Badenteri është një mekanizëm i miratuar pas Marrëveshjes së Ohrit (2001), që garanton se ligjet që prekin komunitetet nuk mund të miratohen vetëm me shumicën e përgjithshme, por duhet edhe pëlqimi i shumicës së deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë.
Sa vota duhen që ky ligj të kalojë?
Kuvendi RMV-së ka 120 deputetë, për shumicën e thjeshtë duhen 61 vota.Për ligjet me Badenter duhet shumica e përgjithshme, pra minimumi 61 vota, plus shumica e deputetëve që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, zakonisht rreth 20–25 deputetë, varësisht përbërjes.
Pra, propozim-ligji nuk kalon nëse nuk ka pëlqimin e dy shumicave, shumicës së përgjithshme dhe shumicës së komuniteteve jo-shumicë. E që kjo nënkupton se rrugëtimi i këtij propozim-ligji tutje nuk do të jetë fare i lehtë deri në miratimin përfundimtar.
Mbetet të shihet nëse kjo shumicë qeveritare do të arrij të sigurojë votat e Badenterit, derisa opozita shqiptare kategorikisht e kundërshton këtë ligj. medial.mk/

