Varheji prezanton raportin e BE-së për Maqedoninë e Veriut, gjithçka mirë përpos administratës dhe korrupsionit

Shkup, 12 tetor – Eurokomisari për Zgjerim, Oliver Varhei, i prezantoi sot pasdite raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë para Parlamentit Evropian.

Për Maqedoninë e Veriut, Oliver Varhei deklaroi se viti 2022 ka qenë një vit i rëndësishëm me fillimin e procesit të negociatave.

“Maqedonia e Veriut e filloi procesin e negociatave me konferencën e parë politike ndërqeveritare që duhej të ndodhte shumë kohë më parë, ky është një përparim për vendin, Maqedonia e Veriut ka treguar vendosmëri dhe progres të qëndrueshëm”, tha Varhei para eurodeputetëve.

Eurokomisari vërejti se është e rëndësishme që vendi të ruajë ritmin e reformave dhe ta përdorë procesin e shqyrtimit, që ta përdorë potencialin e tij për përshpejtimin e reformave.

Sipas tij, duhen përpjekje shtesë në fushën e administratës publike.

Raporti e përshëndet harmonizimin e plotë të Maqedonisë së Veriut me politikën e jashtme të BE-së, veçanërisht në lidhje me Ukrainën.

“Me këtë vendi e tregoi vendosmërinë për të ecur përpara në rrugën e tij drejt BE-së”, tha Varhei.

Pas Parlamentit Evropian , eurokomisari duhet të drejtohet para gazetarëve pas publikimit të raporteve vjetore të reformave për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë.