“Vallëzonte” me mbrojtjen e Cityt – Guardiola nuk ngurroi t’i shkëmbente ca fjalë me Michail Antonion

Dygolëshi i Jarrod Bowen në pjesën e parë të ndeshjes West Ham-Manchester City komplikoi ndjeshëm rrugëtimin e Citizens drejt titullit kampion.

Megjithatë, djemtë e drejtuar nga Pep Guardiola reaguan dhe morën një pikë, duke mbajtur fatin e tyre në dorë, pas dy golave të shënuara në pjesën e dytë për t’i barazuar shifrat në 2-2.

E nëse Bowen shënoi golat, një nga lojtarët që vuri më shumë në vështirësi mbrojtjen e kampionit në fuqi ishte padyshim edhe sulmuesi 32-vjeçar Michail Antonio, i cili dha një asist dhe ishte vazhdimisht rrezik me kalimet e tij.

Kjo paraqitje nuk kaloi jashtë vëmendjes së Pep Guardiolës, që në përfundim të ndeshjes i dha një të shtyrë “miqësore” sulmuesit, si për t’i kujtuar se ua kishte vështirësuar gjërat mbrojtësve të Manchester Cityt.

Më pas gjithçka u mbyll me një përqafim dhe komplimente të ndërsjella mes palëve, teksa tashmë Manchester City do të kërkojë fitoren ndaj Aston Villës në javën e fundit, për të festuar titullin kampion.