Ushtria kineze filloi stërvitje ushtarake rreth Tajvanit

Ushtria kineze ka filluar stërvitje ushtarake që përfshinë gjuajtje luftarake në ujëra dhe hapësirën ajrore rreth ishullit të Tajvanit, informoi sot televizioni shtetëror kinez.

Në raportin televiziv theksohet se është paraparë që stërvitjet të përfundojnë të dielën pasdite.

Njëherësh, Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit sot njoftoi se ushtria e Tajvanit do të vazhdojë me rritjen e nivelit të gatishmërisë dhe se do të reagojë në mënyrë adekuate ndaj “situatës armiqësore”.

Mediat shkruajnë se Kina këtë javë po zhvillon disa ditë stërvitje ushtarake në zonat përreth Tajvanit si përgjigje e vizitës së kryetares së Dhomës përfaqësuese të Kongresit amerikan, Nensi Pelosi.

Gjatë ditës së sotme, madje u ngritën dyshime se dronë kanë fluturuar mbi ishujt e Tajvanit dhe se është hakuar faqja e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit, një ditë pas vizitës së Pelosit.

Kina e cila e konsideron Tajvanin territor të saj, tha sot se mosmarrëveshjet me ishullin janë çështje e brendshme.

“Ndëshkimi ynë i mbështetësve të pavarësisë së Tajvanit nga fuqi të jashtme është i arsyeshëm dhe i ligjshëm”, theksoi Zyra kineze për çështje rreth Tajvanit.