Ushtari rus humb telefonin në luftë, ukrainasi i merr gjithë kursimet e jetës nga aplikacioni i bankës
Ndër ngjarjet e shumta tragjike, të cilat janë raportuar prej Ukrainës, ka prej tyre edhe nga ato më qesharake dhe shumë të veçanta e interesante për t’u treguar.
E tillë është historia e një ushtari nga rajoni i Krasnodarit në Rusi, i cili ishte pjesë e batalioneve luftarake ruse dhe mbeti i plagosur gjatë një operacioni në Ukrainë.
Fatkeqësisht për të, plagosja nuk ishte e vetmja ngjarje e hidhur e ditës, pasi ushtari, humbi edhe telefonin e tij në luftë.
Mirëpo, me teknologjinë tepër të avancuar, ajo çfarë e habiti më shumë atë, ishte fakti se me kthimin në Krasnodar, të larguara nga llogaria e tij bankare ishin gjithë kursimet e jetës!
Jo pak, por 2.5 milionë rubla ruse (ekuivalenti i rreth 30 mijë dollarëve me këmbimin e sotëm valutor).
Sipas gjasave, dikush e ka gjetur telefonin e ushtarit dhe ka transferuar nëpërmjet aplikacionit të tij bankar gjithë shumën e parave në një llogari tjetër.
Se kush ia ka marrë kursimet ushtarit rus, nuk dihet ende dhe ndoshta mund të mbetet e pamundur për t’u zbuluar në kohë të shkurtër.
E sigurt, është se bashkëshortja e tij, ka hapur një proces mbi çështjen dhe ka kryer denoncimin përkatës në Polici.
Shumëkush do të shpresonte se me humbjen e një telefoni në luftë, aparatura do të mbetej në baltë, ose edhe do të shkatërrohej tërësisht. Megjithatë, nuk ka qenë ky rasti dhe kursimet e një jete të tërë, janë zhdukur me një klikim të vetëm.