Urim nga Xhaferi për Ditën e mësuesit
Shkup, 7 mars – Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në emrin e tij personal dhe në emër të Kuvendit uroi për Ditën e Mësuesit – 7 Marsin, dhe me këtë rast, shprehu nderimet më të larta ndaj mësuesve tanë të dashur, që na ndihmuan të mësojmë shkronjat e para, të zhytemi në botën e të panjohurës dhe të pasurohemi me dituri të reja për të qenë kontribues i çmuar në shoqëritë tona.
“Kremtimi i këtij profesioni kaq fisnik, kaq të rëndësishëm dhe jetik për gjeneratat e reja, për ardhmërinë e tyre dhe ardhmërinë e botës në përgjithësi është përkujtues dhe shtytës i domosdoshëm për të gjithë ne me qëllim që kurrë mos e harrojmë vlerën e ushtruesve të parë të këtij profesioni në jetën e secilit prej nesh veç e veç, duke prekur jetët tona, duke i fisnikëruar me dritën që e jep dituria dhe duke lënë me këtë gjurmë të pashlyeshme në zemrat tona. Andaj, edhe unë, si nxënës i dikurshëm, në këtë ditë të shënuar, përkujtoj me mall ata që vendosën themelet e para në rrugëtimin tim të dijes, mësuesit e mi të parë në Shkollën Fillore “Përparimi” në Forinë, në gjeneratën 1969-1970. Mësuesi im i parë, Nazmi Idrizi, mësuesi Gazi Zeqiri, mësuesi Qani Bajrami dhe mësuesja Armata Musliu, kontributi dhe puna e të cilëve në fushën edukativo – arsimore është e paçmueshme dhe jam i sigurt se drita e tyre do të ndrisë gjithmonë”, shkruan Xhaferi në urim.
Gjithsesi, shton, se edhe kontributi dhe vullneti i punonjësve arsimorë paraprakë dhe kuadrove të shumta pas tyre është për çdo admirim dhe jam i sigurt se përkushtimi i tyre për transmetimin e diturisë nuk do të shteret kurrë, ndërsa sukseset e gjeneratave që i mësojnë do të jenë nxitësi dhe krenaria e tyre e përditshme.

