UNICEF dhe UNHCR: Fëmijët e pashoqëruar dhe të ndarë që ikin nga Ukraina duhet të mbrohen
Nju-Jork/Gjenevë, 7 mars – Drejtoresha e Përgjithshme e UNICEF-it, Ketrin Rasell dhe Komisari i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filipo Grandi në deklaratën e përbashkët theksojnë se në mesin e refugjatëve të Ukrainës, të cilët tashmë numërojnë më shumë se një milion, qindra mijëra janë fëmijë të pashoqëruar ose të ndarë nga familjet e tyre, prindërit ose anëtarët e familjes.
“Fëmijët pa kujdes prindëror janë në rrezik të shtuar nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi. Sapo këta fëmijë lëvizin jashtë vendit, rreziqet rriten. Rreziku i trafikimit të qenieve njerëzore po rritet edhe në raste urgjente, paralajmërojnë drejtoresha e përgjithshme e UNICEF-it Rasell dhe Komisari i Lartë i OKB-së për refugjatë, Grandi.
UNICEF-i dhe UNHCR-ja u bëjnë thirrje të gjitha vendeve fqinje dhe të prekura që të sigurojnë identifikimin dhe regjistrimin e menjëhershëm të fëmijëve të pashoqëruar dhe të ndarë që ikin nga Ukraina pasi t’u jepet qasje në territor.
Ata theksojnë se për fëmijët që janë të zhvendosur përtej kufijve pa familjet e tyre, kujdesi i përkohshëm ose lloji tjetër i kujdesit në komunitet nëpërmjet sistemit shtetëror ofron mbrojtje jetike.
“Birësimi nuk duhet të ndodhë gjatë ose menjëherë pas gjendjeve të jashtëzakonshme. Sipas UNICEF-it dhe UNHCR-së, duhet bërë çdo përpjekje për të ribashkuar fëmijët me familjet e tyre sa herë që është e mundur, nëse një ribashkim i tillë është në interesin e tyre më të mirë.
Gati 100.000 fëmijë në Ukrainë, gjysma e tyre me aftësi të kufizuara, jetojnë në shtëpi të kujdesit institucional dhe në internate.
Ata theksojnë se personat ligjërisht përgjegjës për fëmijët në institucionet në Ukrainë duhet të sigurohen që evakuimi të kryhet në përputhje me udhëzimet e autoriteteve shtetërore.
“Lëvizjet duhet të raportohen tek autoritetet në Ukrainë dhe vendet fqinje menjëherë pas kalimit të kufirit dhe sa më shumë që të jetë e mundur fëmijët duhet të evakuohen së bashku me dokumentet dhe dosjet e tyre të identifikimit”, thanë dy zyrtarët e lartë të organizatave botërore.

