UNICEF: Dënojmë çdo shkelje të së drejtës së fëmijëve për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës
Shkup, 3 shkurt – UNICEF-i e dënon diskriminimin e raportuar ndaj nxënëses 11-vjeçare nga Gostivari dhe kërkon urgjentisht përpjekje më të mëdha kolektive për të siguruar që të gjithë fëmijët të mund ta realizojnë të drejtën e tyre për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, duke reaguar ndaj bojkotit të prindërve që nuk donin që fëmijët e tyre të mësonin me një vajzë 11-vjeçare me sindromën “Doun”.
UNICEF konsideron se autoritetet shtetërore dhe lokale duhet ta shqyrtojnë realizimin e hetimit për të siguruar llogaridhënie të atyre që kanë dështuar në respektimin e te drejtave të fëmijëve me paaftësi dhe për parandalimin e zhvillimeve të tilla në të ardhmen.
“Në dekadën e fundit vendi ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për ta ndërtuar një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe për të përfshirë masa për mbështetjen e arsimit gjithëpërfshirës. Parandalimi i një fëmije me paaftësi për t’i ndjekur mësimet me bashkëmoshatarët e saj në shkollat e përgjithshme dhe izolimi i një fëmije me paaftësi nga bashkëmoshatarët e saj paraqet shkelje të së drejtës për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, të garantuar me Ligjin për arsimin fillor dhe instrumentet ligjore mbi të drejtat e njeriut, duke përfshirën Konventën për të drejtat e personave me paaftësi dhe Konventën për të drejtat e fëmijës, të dyja të ratifikuara nga shteti”, thekson UNICEF në reagim.
UNICEF nënvizon se vendi ka miratuar ligje për ta garantuar respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe përderisa ka shumë përvoja dhe shembuj pozitivë të gjithëpërfshirjes në vend, bërja e ligjeve realitet për çdo fëmijë kërkon një përpjekje kolektive për t’i hequr barrierat që i pengojnë fëmijët me paaftësi nga e drejta e tyre për arsim. Kjo përfshin edhe sigurimin që drejtoria e shkollës, mësuesit dhe komunitetet të ofrojnë një mjedis mbështetës, si dhe të mbahen përgjegjës nëse nuk e bëjnë këtë.
“Dëshmitë globale tregojnë qartë se fëmijët me paaftësi arrijnë suksese të përgjithshme më të mëdha në rezultatet e mësimeve dhe sjelljes, kur përfshihen në shkollat e zakonshme, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre me paaftësi të ngjashme, që dërgohen në shkollat speciale. Hulumtimet tregojnë gjithashtu se përfshirja e fëmijëve me paaftësi i ndihmon të gjithë fëmijët në klasë të mësojnë më shumë për ndjeshmërinë, drejtësinë, bashkëpunimin dhe solidaritetin social dhe se këto vlera nga ana e tyre e rrisin suksesin e të arriturave të shkollës dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në masë të konsiderueshme në prosperitetin e shtetit”, thotë UNICEF.
Siç thuhet në reagimin e UNICEF, çdo fëmijë edhe fëmijët me paaftësi e bartin premtimin e një jete të lumtur, kuptimplote, të pjesëmarrjes vitale në komunitetit dhe të dhënies së kontributeve për të ndërtuar shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Një shoqëri nuk mund të jetë e barabartë nëse në të nuk përfshihen të gjithë fëmijët, ndërsa fëmijët me paaftësi nuk mund të përfshihen nëse mjedisi rreth tyre nuk ndryshon për ta mbështetur pjesëmarrjen e tyre.
UNICEF-i iu bën thirrje të gjitha palëve përgjegjëse, drejtorëve të shkollave, mësuesve, qeverisjes vendore, autoriteteve arsimore dhe komuniteteve që t’i mbrojnë të drejtat e fëmijëve dhe t’i shohin ato në praktikë.
“UNICEF-i i njeh sfidat drejt shoqërisë më gjithëpërfshirëse dhe ua bën me dije bartësve të detyrave se e kanë për obligim të sigurojnë që fëmijët me paaftësi ta zënë vendin e duhur për të mësuar krah për krah me bashkëmoshatarët e tyre në shkollat e përgjithshme”, thuhet në reagimin e UNICEF-it.