UNDP dhe ambasada gjermane i dhuruan pajisje kompjuterike MPB-së

Shkup, 26 gusht – Donacioni nga pajisje të reja kompjuterike nga 74 kompjuterë, 52 printera dhe 50 skanera do të vendosen në Sektorët e Punëve të Brendshme dhe stacionet policore, të cilat do të mundësojnë monitorim dhe kontroll më efikas të armëve të vogla dhe armëve të lehta në vend, sot promovoi Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Narine Sahakjan dhe zëvendës ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Oto Graf.
Donacioni, që synon funksionimin e qetë dhe më efikas të sistemit të informacionit të MPB-së, realizohet si pjesë e projektit “Përmirësimi i praktikave kombëtare për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta dhe ndërtimin e komuniteteve rezistuese”, të cilin UNDP e zbaton me mbështetje financiare nga Ambasada gjermane në Shkup.
“Ky është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm në kuadër të “Udhërrëfyesit për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta”, nënshkrues i të cilit është edhe vendi ynë. Zbatimi i projektit do t’i mundësojë MPB-së të mbledhë dhe analizojë të dhënat për armët e vogla dhe të lehta në vend më shpejt dhe më saktë. Kështu, lufta jonë kundër këtij lloji të krimit do të jetë më efektive dhe ne besojmë se do të kontribuojë në rritjen e nivelit të sigurisë së qytetarëve, theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Ai falënderoi zyrën e UNDP -së dhe Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë për njohjen e përpjekjeve për modernizimin e policisë dhe dhënien e mbështetjes pa rezerva në zbatimin e aktiviteteve përmes të cilave forcohen kapacitetet e MPB-së.
Ky është donacioni i dytë i pajisjeve IT në kuadër të projektit pasi në tetor 2020 u dorëzuan 53 kompjuterë, 16 printera, 10 skanerë dhe 25 printera specialë për leje për armë. Përveç dhurimit të pajisjeve, zhvillimi i softverit të përshtatshëm për monitorimin dhe kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta është duke u zhvilluar. Përveç kësaj, gjatë muajit shtator do të mbahen trajnime për 250 punonjës në MPB të cilët do të punojnë në praktikë në këtë segment sigurie.
“Qëllimi kryesor i projektit është të zvogëlohet kepërodrimi me armë të vogla dhe të lehta si një nga shkaqet më të zakonshme të incidenteve të armatosura në vend. Dhurimi i kësaj pajisje është vetëm një segment i projektit të përgjithshëm, i cili do të përmirësojë sistemin e informacionit të MPB-së, ndërsa përmes zhvillimit dhe zbatimit të një sistemi të informacionit policor do të sigurojë digjitalizimin dhe përmirësimin e proceseve operacionale dhe do të përshpejtojë shkëmbimin institucional të informacioneve”, deklaroi përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Narine Sahakjan.
“Zbatimi i plotë dhe i suksesshëm i nismës “Udhërrëfyesi për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta”, i cili buron nga Procesi i Berlinit, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rritjen e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta dhe sigurinë e qytetarëve në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor,” tha zëvendës ambasadori gjerman Graf.
UNDP e zbaton këtë projekt si pjesë e nismës rajonale “Udhërrëfyesi për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta”, qëllimi kryesor i të cilit është të krijojë një sistem të kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor, në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.