Ulja e kontributeve dhe rritja e kuotave për punëtorët e huaj për t’u tejkaluar problemi me mungesën e fuqisë punëtore
Shkup, 19 qershor – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore kërkon nga Qeveria ulje të kontributeve, liberalizimin e fuqisë punëtore dhe rritjen e kuotave për punëtorët e huaj. Kjo, sipas tyre, është pjesë e zgjidhjeve për tejkalimin e problemit me mungesën e fuqisë punëtore. Në afat të gjatë, ata vlerësojnë se duhet të përgatitet një program afatgjatë, në të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të ketë rolin kryesor për të krijuar profile adekuate për ekonominë vendase.

Qëndrimi i Qeverisë është liberalizimi i tregut të punës dhe rritja e kuotave për punëtorët e huaj, të cilat tani janë kufizuar në 5000, por kjo, sipas zëvendës kryeministrit për çështje ekonomike, Fatmir Byytyqi, duhet të jetë një zgjidhje afatshkurte, sepse në planin afatgjatë fuqia punëtore duhet të sigurohet kryesisht nga burime të brendshme, ndërsa për këtë nevojitet rikualifikimi i fuqisë ekzistuese punëtore.
“Për momentin ka mijëra vende të lira pune, ndërsa në Agjenci janë duke kërkuar punë mbi 105 mijë qytetarë. Pyetja është pse ato nuk mbushen me të papunësuarit. Për shkak se këta punonjës nuk janë të trajnuar për profesionet që kërkon tregu i punës”, tha Bytyqi në konferencën vjetore, “Sfida e kompanive në RMV në sigurimin e fuqisë punëtore në periudhë globalizimi dhe digjitalizimi”.

Analizat tregojnë se vendit tonë i mungojnë rreth 10 mijë punëtorë në vit dhe më të prekurit janë ndërtimtaria dhe turizmi.
Mungesa e fuqisë punëtore, siç theksoi Bytyqi, nuk është problem me të cilin përballet vetëm Maqedonia e Veriut, por edhe tërë Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian. Sipas Institutit të Sindikatave Evropiane, ka mungesë rekorde të fuqisë punëtore nga viti 2019 deri në vitin 2022, ndërsa vetëm vitin e kaluar, një e katërta e bizneseve të BE-së raportuan probleme të prodhimit, si rezultat të mungesës së fuqisë punëtore.
Kryetarja e MASIT-it, Anita Pesheva, konsideron se janë dy probleme që duhet të zgjidhen – si të mbahen të rinjtë në vend dhe si të rikthehet fuqia punëtore që tashmë është larguar jashtë vendit. Problemi kryesor, thotë Pesheva, është se punësohen persona me lidhje dhe përkatësi politike, gjë që krijon nervozizëm tek të rinjtë. Ajo që duhet bërë, sipas saj, është që universitetet të jenë përshpejtuesi kryesor i punësimit të studentëve dhe të gjendet një model për pagesën graduale të kontributeve.
“Në Rumani dhe Bullgari kanë bërë bum duke liruar industrinë e IT-së nga taksat, veçanërisht të rinjtë dhe pastaj të gjithë u kthyen pas”, theksoi Pesheva.
Sipas biznesit, nevojitet më shumë promovim, sidomos tek ata që janë kthyer në vend.

