Ukraina përplaset me Hungarinë për “Gjeografinë”, Krimeja njihet si pjesë e Rusisë

Ukraina ka protestuar ndaj Budapestit zyrtar lidhur me tekstet shkollore të vendit pasi dyshon se Hungaria ka përdorur gënjeshtra anti-ukrainase në tekstet e saj të gjeografisë të klasës së tretë.
Diplomatët ukrainas kanë mbajtur një takim në Ministrinë e Jashtme hungareze gjatë të cilit e quajtën të papranueshme paraqitjen e fakteve të shtrembëruara lidhur me historinë e Ukrainës duke kërkuar korrigjimin e informacioneve të rreme sa më shpejt të jetë e mundur.
Teksti shkollor në fjalë është publikuar në Portalin Kombëtar të Arsimit Publik.
Ndër të tjera, në të evidentohet se malet e vetme në Ukrainë janë Karpatet duke lënë mënjanë malet e Krimesë, gadishull ky që i përkiste Ukrainës përpara vitit 2014, kohë kur u aneksua nga Rusia.
Në një pjesë tjetër të tekstit thuhet se gjuha ruse dhe ajo ukrainase kanë shumë ngjashmëri dhe vëren se pjesa më e madhe e lindjes së Ukrainës është e banuar nga rusët dhe gati 1/5 flet një gjuhë të përzier mes rusishtes dhe ukrainishtes.
Kjo nuk është hera e parë që Kievi përplaset me Budapestin.
Pasi fitoi mandatin e katërt, kryeministri hungarez Viktor Orban e rreshtoi presidentin ukrainas Zelenski mes atyre që donin të ndërhynin në zgjedhjet e 3 prillit kundër fitores së tij.
Lideri ukrainas e ka akuzuar indirekt kreun e qeverisë hungareze se po anon nga politikat e Moskës, pasi Orban refuzoi t’i bashkohej 26 vendeve të tjera anëtare të BE-së për paketën e sanksioneve për gazin dhe naftën, si edhe refuzoi të sanksiononte kryepeshkopin ortodoks të Rusisë, Kirillin e Moskës.