Ukraina dhe SHBA-ja diskutojnë për rrezikun e përshkallëzimit të situatës, pas armatimit të Kievit me armë të reja

Gjersa SHBA-të dhe aleatët e saj vazhdojnë të furnizojnë Ukrainën me armë të sofistikuara, Washingtoni dhe Kievi zyrtar kanë mbajtur diskutime rreth rrezikut të përshkallëzimit të situatës, nëse një nga raketat godet ndonjë qytet thellë brenda territorit të Rusisë, thanë për Reuters disa nga zyrtarët dhe diplomatët që gjenden në SHBA.

Në diskutimet që po mbahen, të cilat janë shumë të ndjeshme dhe për të cilat nuk është raportuar më herët, nuk bëhet me dije se janë vendosur kufizime të qarta gjeografike në përdorimin e armatimeve, me të cilat u furnizuan forcat ukrainase.

“Jemi të shqetësuar se mund të ketë përshkallëzim, por që ende nuk dëshirojmë të vendosim kufizime gjeografike dhe nuk duam që t’u lidhim duart mbi armatimet që po u japim”, tha në kushte anonimiteti njëri nga tre zyrtarët amerikanë.

Administrata e presidentit Joe Biden dhe aleatët e SHBA-ve, kanë ngritur gatishmërinë e tyre për të furnizuar ukrainasit me armë me rreze më të gjatë veprimi, duke përfshirë këtu edhe me Howitzer M777, ndërsa ukrainasit vazhdojnë të luftojnë agresionin rus, duke pasur edhe më shumë sukses se sa është pritur nga inteligjenca dhe zyrtarët amerikanë.

Nga Pentagoni javën e kaluar deklaruan se Danimarka do të furnizojë Ukrainën me Harpoon, sistemin e raketave kundër anijeve, sistem ky i cili e zgjeron rrezen në të cilën Kievi zyrtar mund të godasë objektivat ushtarakë.

Pas parashikimeve se Ukraina do pushtohet nga ushtria shumë më e madhe ruse, zyrtarë amerikanë kanë filluar të shpresojnë se forcat ukrainase do ta fitojnë luftën, dhe në mënyrë që kjo të bëhet sa më shpejtë, ata po i armatosin.

Zyrtarët nga SHBA-të thonë se administrata e Biden po konsideron furnizimin e Kievit zyrtar me sistemin e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (SRALL) M142, sistem ky i cili varësisht municionit ka një rreze veprimi prej qindra kilometrash.

Por që nga inteligjenca amerikane kanë paralajmëruar se mund të ketë rritje të rrezikut, veçanërisht duke parë një mospërputhje të ambicieve të Putinit dhe pritshmërisë të cilën ushtria ruse nuk po e përmbush.

“Muajt në vijim mund ta çojnë luftën në një situatë të paparashikueshme, dhe në një trajektore ku mund të ketë përshkallëzim”, tha më herët drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Avril Haines, gjatë një seancë dëgjimore në Senatin amerikan.

Shtetet e Bashkuara, nuk po marrin pjesë direkt në luftën e Ukrainës, por që udhëheqësit e Pentagonit po mbajnë kontakte të vazhdueshme me liderët ukrainas, dhe u kanë ofruar të dhëna vendimtare të cilat ndihmuan Ukrainën t’i shënjestrojë forcat tokësore dhe detare ruse, bënë të ditur zyrtarët amerikanë.

Zyrtari i dytë amerikan, i cili gjithashtu foli në kushte anonimiteti, tha se Washingtoni dhe Kievi kanë arritur një “mirëkuptim” të përbashkët rreth përdorimit të disa sistemeve të armëve, me të cilat u furnizuan nga shtetet perëndimore.

“Deri më tani kemi pasur mirëkuptim në disa nga limitet që kemi vendosur” tha zyrtari amerikan.

Ndërsa nga ministria ukrainase e Mbrojtjes, ende nuk kanë dërguar komentet e tyre lidhur me rastin.

“Furnizimi i Ukrainës me disa armë të cilat kanë kapacitete të godasin objektivat brenda Rusisë, do ishte një hap serioz që do çonte në përshkallëzimin e situatës”, tha Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, gjatë të enjtes.