“U ngjita në skenë pasi ajo ndërroi jetë, vetëm qaja” Isida Mollaymeri rrëfen momentin më të vështirë të karrierës
Ajo është prej vitesh një ndër balerinat më të suksesshme të Teatrit të Operas dhe Baletit, një artiste që skenës i ka dhënë shumë e premton t’i japë po aq edhe në vazhdimësi. Por, pas një performance shpeshherë fshihen frikëra, dyshime, momente të vështira që një artist i vërtetë duhet t’i kamuflojë dhe të mos i transmetojë tek publiku.
E ftuar në “Pushime On Top”, Isida Mollaymeri ka rrëfyer për herë të parë vuajtjen më të madhe që ka kaluar teksa ishte në skenë. Ajo tregoi se në balet është si ligj që çfarëdo që ndodh duhet të dalësh në shfaqje, sidomos kur nuk ke zëvendësues.
“Ne edhe në skenë nuk i shfaqim kurrë vuajtjet, i mbajmë gjithmonë pas skene. Në skenë ndoshta nuk është ndonjë vuajtje, sepse gjërat kalojnë. Janë gjëra që ndodhin, ne jemi njerëz të gjallë. Por, përshembull, nëse ndodh ndonjë fatkeqësi, edhe ti je i detyruar të dalësh në skenë. Mua më ka ndodhur. Ne e kemi si ligj, gjithçka që ndodh, ti duhet të dalësh në shfaqje, sidomos kur nuk ke zëvendësues. Humba një mikeshë, ka qenë ‘Traviata’, unë nuk kam pasur zëvendësuese edhe përveçse unë gjatë gjithë kohës kur kërceja qaja, publiku është ngritur në këmbë, sepse e kishte marrë vesh. Ka qenë një nga ditët më të vështira të jetës sime”, tha ajo.