U nënshkrua Marrëveshje kolektive mes Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe SASHK-ut
Shkup, 13 tetor – Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska dhe kryetari i Sindikatës së pavarur të arsimit, shkencës dhe kulturës (SASHK), Jakim Nedellkov, e nënshkruan Marrëveshjen e re kolektive.
“Rritja e rrogave për ofruesit e shërbimeve në institucionet publike për fëmijë për 15 për qind dhe rritja e tyre e vazhdueshme me çdo rritje të rrogës minimale është një nga risitë më aktuale në marrëveshjen e re kolektive”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Gjithashtu, potencojnë nga MPPS, tejkalohet problemi me orarin e punës së edukatoreve dhe përkëdhelëseve për realizimin e aktiviteteve të tjera programore në kushte të tjera hapësinore në institucion apo jashtë tij.
“Sigurohet regres për pushim vjetor, katër orë mungesë e paguar nga puna gjatë një muaji për kryerje të nevojave urgjente, personale dhe të pashtyeshme, rriten të drejtat për ditë të lira të paguara gjatë vitit kalendarik, vendosen shpërblime jubilare për punë në kopshte”, informojnë sot nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Marrëveshja e re kolektive parasheh pjesëmarrje të përfaqësuesit to sindikatës në disa komisione në institucionin e formuar nga ana e drejtorit, vendoset e drejta e praktikantit që provimin e praktikës ta kalojë për herë të dytë dhe zgjaten afatet për paraqitje në konkurse për punësim në kopshte.
Me të, hollësisht rregullohet mënyra e sistemimit të punëtorit dhe obligimeve të punëdhënësit dhe rriten obligimet e punëdhënësit në pjesën e sigurisë dhe shëndetit gjatë punës, tejkalim dhe zgjidhje e përhershme e problemit të personave ndihmës teknikë në pjesën e rrogave dhe rritja e tyre e vazhdueshme me rritjen e rrogës minimale.
Marrëveshja parasheh edhe rritje të shtesave dhe kompensimeve të rrogës dhe rriten të drejtat e punëtorëve gjatë grevës.
Sipas MPPS-së, në krijimin e Marrëveshjes së re kolektive punuan grupi i punës në përbërje të përfaqësuesve të Ministrisë dhe SASHK-ut.
Nënshkruesit e marrëveshjes, ministrja Trençevska dhe kryetari i SASHK-ut, Nedellkov, shfaqën bindje se marrëveshja e re kolektive paraqet avancim të të drejtave të ofruesve të shërbimeve në kopshtet e fëmijëve.