U lëndua ndaj Gironës, këto janë ndeshjet në të cilat Olmo nuk do të jetë i gatshëm të luajë

Dani Olmo do të mbetet jashtë fushave për katër deri në pesë javë për shkak të lëndimit në këmbën e djathtë, kanë konfirmuar testet mjekësore.

Barcelona lëshoi një njoftim zyrtar sa i përket gjendjes së Olmos, duke zbuluar se ai do të mungojë në shtatë ndeshje, e po ashtu nuk do të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e Spanjës gjatë muajit tetor.

Lëndimi i spanjollit është një goditje e madhe për Barcelonën, pasi ai kishte qenë një pjesë e rëndësishme e formacionit të Hansi Flick.

Cilat janë ndeshjet të cilat do t’i humbasë Olmo shkaku i lëndimit?

Në mesin e ndeshjeve që Olmo pritet t’i humbasë për Barcelonën janë katër xhirot në udhëtim: Monaco (Liga e Kampionëve), Villarreal, Osasuna dhe Alaves.

Klubi gjithashtu do t’i luajë tri ndeshje në shtëpi ndaj Getafes, Young Boys dhe Sevillas.

Blaugranasit shpresojnë se Olmo mund të rikthehet në kohë për duelin e rëndësishëm ndaj Bayern Munichut më 23 tetor, ose për El Clasicon ndaj Real Madridit në ‘Santiago Bernabeu’ më 27 tetor.

Sa i përket angazhimit me kombëtare, Olmo nuk do të jetë i gatshëm të luajë për Spanjën në Ligën e Kombeve, aty ku ‘Furia e Kuqe’ do të ballafaqohet me Danimarkën më 12 tetor dhe me Serbinë më 15 tetor.