Turizmi dhe kultura në fokusin e samitit “Ballkani i Hapur” në Ohër

Shkup, 8 qershor – Me fjalime zyrtare të kryeministrave të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, të Shqipërisë, Edi Rama dhe të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si edhe të kryesuesit me Këshillin e ministrave të BeH, Zoran Tegeltia sot në Ohër fillon Samiti “Ballkani i Hapur”.

Sipas paralajmërimit të shërbimit qeveritar për shtyp, fjalim do të ketë edhe eurokomisari për Zgjerim, Oliver Varheji, ndërsa përmes një video-mesazhi do të drejtohet edhe zëvendës-ndihmësi i sekretarit të shtetit të SHBA-së, Gabriell Eskobar.

Liderët e vendeve pjesëmarrëse në samit, është paraparë të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi dhe njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe vlerësimeve shkencore të dhëna në institucione të larta arsimore dhe institucione të tjera të autorizuara dhe memorandume për mirëkuptim për bashkëpunim në fushat turizëm, kulturë dhe administratë tatimore në Ballkanin Perëndimor.

Pas fjalimeve zyrtare, do të mbahen panel sesione për turizëm dhe kulturë. Në “Ballkani i Hapur, hap turizmin”, fjalime të tyre do të kenë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike dhe Koordinimin e Resorëve Ekonomikë, Fatmir Bytyqi, i cili së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, si edhe me ministren e Turizmit dhe Mjedisit Jetësor të Shqipërisë, Mirela Kumbaro dhe ministren e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimeve të Serbisë, Tatjana Matiq do të diskutojnë për përfitimet nga nismat dhe masat të cilat do të ndërmerren për zhvillimin e turizmit në nivel rajonal. Të pranishëm do të jenë edhe përfaqësuesit e bashkësisë së biznesit nga vendi dhe rajoni ndërsa fjalime do të kenë edhe kryetarët e odave të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, Branko Azeski dhe Marko Çadez, si edhe Ines Mukostepa, kryetare e Unionit të Odave Tregtare Industriale të Shqipërisë.

Në panel sesionin “Ballkani i Hapur, hap kulturën”, njëherësh fjalim do të ketë edhe zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Bojan Mariçiq, i cili së bashku me ministren e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, me Elva Margaritin, ministre e Kulturës së Shqipërisë dhe Maja Gojkoviq, zëvendëskryeministre dhe ministre e Kulturës dhe Informimit e Serbisë do të diskutojnë për rëndësinë e kulturës në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Liderët, mbrëmë patën darkë jozyrtare, në të cilën diskutuan për sfidat ekonomike vijuese dhe mundësitë që i ofron bashkëpunimi rajonal në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

“Ballkani i Hapur” është nismë rajonale e vendosur nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia për bashkëpunim më të madh ekonomik dhe bashkëpunime të tjera midis tre vendeve, me qëllim që qytetarët të kenë jetë më të mirë. Nisma parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis vendeve-anëtare.