Tupançevski: Në Palermo gjithçka kam paguar vet, jam tifoz i madh i futbollit

Shkup, 28 mars – Para disa ditëve Maqedoina e Veriut realizoi një ndeshje futbollistike me kombëtaren e Italisë. E njejta u mbajt në Palermo të Italisë, ndërsa nuk munguan as tifozë nga Maqedonia e Veriut.

Në momentin kur Maqedonia shënoi golin e epërsisë në fund të ndeshjes, në ato momente në ekranet televizive u panë duke festuar me shumë gëzim, ministri i drejtësisë Nikolla Tupaçenvski, si dhe prokurorja Fatime Fetai.

Që të dy ishin nën kritika të opinionit se derisa ambasadorja amerikane po atë ditë kritikoi vendin se vetëm 8% e qytetarëve kanë besim në drejtësi, atë që duhet ta përmirësojnë këtë kanë udhëtuar në Itali për të shikuar futboll.

Madje pas atij rasti, Antikorrupsioni doli me pyetje publike që, që të dy të tregojnë se me cilat të holla kanë shkuar për të shikuar ndeshjen futbollistike.

Sot ministri Nikolla Tupançevski në Utrinski Brifing iu përgjigj kësaj pyetjeje duke treguar paratë i ka paguar nga transakcioni i tij privat.

“Dy komponenta janë të rëndësishme, nëse unë zyrtarisht kam udhëtuar për Palermo dhe kush i ka paguar harxhimet. Për të parën përgjigja është jo, ndërsa harxhimet janë paguar nga transakcioni im personal”, thotë Tupançevski.

Ai shton se asnjë normë ligjore dhe etike nuk është shkelur me udhëtimin e tij në Itali për ndeshjen futbollistike. Ai thotë se Qeveria ka kod etik i cili mes të tjerave ka definuar dhe udhëtimet e personave zyrtar.

“Un nuk kam shfrytëzuar buxhetin e shtetit, nuk kam shfrytëzuar veturën zyrtare, nuk kam shfrytëzuar sigurim, ndërsa harxhimet i kam mbuluar vet. Jam tifoz i madh i futbollit. Për Portugali nuk do të shkoj sepse zv.ministri nuk do të jetë këtu, kështu që nuk është në rregull ministria të ngelë pa një përfaqësues. Ka dhe çarter fluturime për një ditë”, thotë Tupançevski./Zhurnal.mk