Tupançevski: Çdo fëmijë meriton të jetë i mbrojtur në mënyrë adekuate në sistem

Shkup, 15 shtator – Çdo fëmijë meriton të jetë i mbrojtur në mënyrë adekuate në sistem. Çdo fëmijë meriton që nevojat e tij të jenë prioritet për institucionet. Çdo fëmijë meriton të kursehet nga çfarëdo lloj sjellje e cila çon drejt ndonjë forme të diskriminimit, margjinalizimit, viktimizimit ose viktimizimit sekondar.

Këtë sot e theksoi ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski në promovimin e Strategjisë Nacionale për Parandalim dhe Drejtësi për Fëmijët 2022 – 2026 dhe Planit të Veprimit 2022-2023, dokument i cili është përgatitur nga Këshilli Shtetëror për Parandalim të Delikuencës së Fëmijëve me mbështetje të UNICEF-it dhe BE-së.

“Veçanërisht është me rëndësi të theksohet se Strategjia ka të bëjë me fëmijët në rrezik, me fëmijët në kundërshtim me ligjin dhe me fëmijët dëshmitarë të dhunës. Strategjia miratohet në vigjilje të ligjit të ri për drejtësi për fëmijët dhe përfaqëson dokument shumë të rëndësishëm i vetmi i këtij lloji në shtet, ndërsa i cili del nga kompetencat specifike të cilat i ka Këshilli Shtetëror”, porositi Tupançevski.

Suksesi në sferën e mbrojtjes së fëmijëve dhe sigurimi i drejtësisë për ta, sipas ministrit Tupançevski, nënkupton qasje multisektoriale, rrjetëzim të të gjithë faktorëve relevantë në sistemin e drejtësisë për fëmijët në nivel të institucioneve, por edhe të nivelit personal të përfshirë në sistemin e drejtësisë për fëmijët.

“Është e nevojshme të theksohet rëndësia e veprimtarisë së vetëqeverisjes lokale në realizimin e një segmenti të synimeve strategjike, duke pasur parasysh se çdo bashkësi lokale ka specifikat e veta në lidhje me faktorët e rrezikut për shfaqjen e delikuencës së fëmijëve, ndërsa prej këtu edhe specifikat në definimin e programeve parandaluese dhe qasjen e përshtatur me nevojat, përkatësisht gjendjen në të cilën ndodhen fëmijët në komunë”, theksoi Tupançevski.

Shtoi se zbatimi me sukses i Strategjisë do të mundësojë përforcim të kapaciteteve të institucioneve, ngritjen e vetëdijes publike, zbatimin e standardeve relevante ndërkombëtare dhe avancim të sistemit të grumbullimit të të dhënave.

Kryetarja e Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Delikuencës së Fëmijëve, Gordana Lazhetiq, sqaroi se strategjia kombëtare është një dokument që do të përcaktojë udhërrëfyesit për pesë vitet e ardhshme, për sa i përket asaj se çfarë do të thotë të ndërmerren hapa për identifikimin e faktorëve të rrezikut kur bëhet fjalë për delikuencë të fëmijëve dhe identifikim të institucioneve relevante përkatëse që do të duhet të marrin masa dhe aktivitete në drejtim të tejkalimit të situatave që ekzistojnë tani.

“Strategjia është dokument që përmban 12 qëllime strategjike me nënqëllime dhe plan veprimi dhe ajo që duhej të ishte reale, të përshtatet me nevojat të cilat i kemi në shtet dhe dokumente komplementare që konsideruam se është shumë e rëndësishme që të mos kemi mbivendosje dhe punë në rrugë paralele”, theksoi Lazhetiq.

Sipas gjykatësit Llazar Nanev, sigurimi i kushteve të mirëqenies, mosdiskriminimi dhe pjesëmarrja e fëmijëve në miratimin e të gjitha vendimeve janë me rëndësi themelore, janë shtyllat themelore kyçe të Strategjisë Nacionale për Fëmijët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në përgatitjen e të cilit ka marrë pjesë edhe ai.

“Për ne është veçanërisht e rëndësishme që me këtë dokument u përpoqëm që të gjithë fëmijët të largohen nga institucionet, pra nga autoritetet shtetërore, institucionet ku ata i vuajnë masat institucionale. Dhe ky dokument në fakt krijon politika të reja të përshtatshme që do të mundësojnë më tej socializimin e fëmijëve që kanë rënë në konflikt me ligjin në mjedisin nga vijnë, sepse ne besojmë se mjedisi, pra familja, më tej miqtë, shokët janë mjeti themelor në të cilin çdo gjë mund të çojë në transformimin e sjelljes së fëmijëve që bien në konflikt me ligjin”, theksoi Nanev.