Tupançeski: Gjykimet onllajn po bëhen realitet edhe për gjyqësorin në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 2 mars – Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançeski ishte pjesë e ngjarjes së sotme promovuese “Fillimi i procesit të instalimit të pajisjes IKT në pesë gjykata themelore, si pjesë e Planit Operativ për digjitalizim të gjyqësorit”, në të cilën bashkë me shefin e Misionit të OSBE-së, ambasadorit Klemens Koja, kanë dhënë pikëpamjet e tyre për këtë hap të cilin e bën gjyqësori në Maqedoninë e Veriut.

“Gjykimet onllajn janë realitet i ri në sistemet më të zhvilluara gjyqësore, ku në procedurat në të cilat pala, pa dallim nëse është dëshmitar, ekspert ose i akuzuar, nuk mundet fizikisht të jetë prezent në sallë gjyqësore, megjithatë mund të mbahet gjykim. Kjo është shumë e favorshme sa i përket kohës dhe efikasitetit në gjykata. Prej sot gjykimet onllajn po bëhen realitet edhe për sistemin gjyqësor maqedonas”, ka theksuar Tupançeski.

Tupançeski, bëhet e ditur në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë, ka theksuar se përveç sallave gjyqësore në Gjykatën Themelore në Kavadar, janë pajisur edhe pilot gjykatat e tjera themelore, në Strumicë, Shtip dhe Gjykatën Penale dhe Gjykatën Civile të Shkupit, dhe kjo gradualisht sipas dinamikës së gjykatave, në mënyrë që të mos pengohet puna e tyre.

Ai e ka theksuar digjitalizimin e gjyqësorit si një nga hapat e rëndësishëm në reformën e sistemit, veçanërisht në rritjen e efikasitetit dhe transparencës.

E ka potencuar edhe suksesin në realizimin e aktiviteteve në Këshillin IKT, të parapara në planin operativ, duke thënë se tashmë po funksionojnë shërbimet digjitale për dhënien e certifikatave dhe vërtetimeve nga evidenca kundërvajtëse dhe penale.

Ka paralajmëruar se javën e ardhshme do të nënshkruhen, ndërmjet institucioneve, marrëveshje për mundësim të shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe dokumenteve dhe kjo ndërmjet institucioneve shtetërore të rëndësishme në mesin e të cilave: Ministria e Punëve të Brendshme, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Regjistri Qendror dhe Drejtoria e Policisë Financiare.

Sipas shefit të Misionit të OSBE-së, Koja, fokusi kryesor i procesit të digjitalizimit në gjyqësor duhet të mbeten garancitë për të drejtën e gjykimit publik dhe të drejtë në afat të arsyeshëm, si dhe respektimi i prezumimit të pafajësisë dhe mbrojtjes së privatësisë. Ambasadori Koja në këtë ngjarje ka konfirmuar se Misioni, është partner i afërt shumëvjeçar i gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut, duke siguruar mbështetje në shumë nivele.

Ministri i Drejtësisë Tupançeski i ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, SHBA-në, OSBE-në dhe Qeverinë norvegjeze, për mbështetjen në zbatimin e këtij procesi të ndërlikuar dhe të vëllimshëm, si dhe të anëtarëve të Këshillit IKT për përpjekjet të cilat i japin për efekt më të shpejtë të procesit gjithëpërfshirës së digjitalizimit.