Tufë poezish nga “poetja e tri qyteteve”, Lindita Ahmeti
(Me rastin e ndarjes së çmimit më të lartë shtetëror në RMV, “11 Tetori”, për kulturë dhe art, për vitin 2022)
Shkup, 11 tetor/arsalbanica.mk-Poetja Lindita Ahmeti është fituesja e çmimit të sivjetmë “11 Tetori” në fushën e kulturës dhe artit, krahas shkrimtarit Tomisllav Osmanli dhe piktorit Micko Jankullovski, si dhe mjekut të Metodi Çepreganov, në fushën e shkencës dhe arsimit.
Kjo mirënjohje e lartë shtetërore edhe një herë e valorizon kontributin për afro tri dekada të poeteshës Lindita Ahmeti, e cila me poezitë e saj tërhoqi vëmendjen e lexuesve me botimet e para në fillim të viteve 90-të dhe librin e saj të parë, ”Mjedra dhe bluz”, duke sjellë një sensitivitet të ri në poezinë shqipe të këtij krahu.
Poetja “e tri qyteteve”(Tetovës, të origjinës së babait, Prizrenit, qytetit të lindjes dhe të origjinës së së ëmës dhe Shkupit, qytetit ku jeton e krijon), rrjedh nga një familje me vokacion krijues: babai Xhabir Ahmeti, shkrimtar dhe i vëllai, Luran Ahmeti, aktor, ndaj dhe talenti i Linditës ishte si diçka e lindur, gjenetike. E lindur në Prizren më 26 prill 1973, por me fëmijëri dhe jetën e kaluar në trekëndëshin e qyteteve të përmendura, përbëjnë shtegtimin jetësor dhe frymëzimin e përjetshëm. Ka kryer Fakultetin Filologjik në Universitetin “Qirili e Metodi” në Shkup dhe tash është e angazhuar në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve. Përveç përmbledhjes së sipërpërmendur, Mjedra dhe bluz(1993), ka botuar ndër vite edhe këto vepra 1996: “Ishulli Adular”; 2000: “Brezi dhe Zonjës”; 2004: “Vetë perballë Erosit”; 2008: “Lulja alba” (përzgjedhje); 2015 “Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim”; 2015: “Dhoma pa derën dalëse”. Në gjuhën maqedonase I janë përkthyer veprat si vijon: 1998: “Камена месечина” (“Hëna e gurtë”); 2002: “Син сон” (“Ëndërr e kaltër”); 2007: “Призивање во април” (“Grishja në prill”); 2011: “Утрешните монети” (“Monedhat e nesërme”). Ka botuar një përmbledhje edhe në gjuhën bullgare, “Пролетен копнеж”(2008), ndërkaq poezitë e saj janë përkthyer edhe në revista letrare në gjuhën angleze, serbe, boshnjake dhe polake dhe është përfshirë në shumë antologji dhe panorama në gjuhë të ndryshme.
Duke pasur tiparet e një personi me aftësi të veçanta por me intelektin e rrallë, poezia e saj paeviteushëm do t’i përmbante ndjeshërinë e thellë dhe ekspresivitetin, pa të cilat zor ze mund të paramendohet krijimtaria. Poezia e saj është si gurgullimë e përrenjve të pastër që burojnë nga thellësia e tokës, e ka atë zhurmërimë ku gërshetohen motivet që janë thellë të lidhur me token, historinë, mitet e deri te përjetimet individuale, si një reflek i natyrshëm.
Më poshtë, me rastin e ndarjes së çmmit “11 Tetori”, po japim një përzgjedhje që e bëri poeti Daut Dauti.
Tri poezi kushtuar vëllait:
1.ELEGJI PËR VËLLAIN
Jam mbështjellë me natë
Edhe shtëpia ime me heshtje
I panjohuri ecën dhe kruan kryet
Në dritë të hënës
E di vëlla
Edhe ai të mendon
E di të ka njohur edhe ai
Me mijëra e mijëra vetë të kanë njohur
Po askush s’e di
Si je ballafaquar ti me panin për mua
Me britmën e tij
Midis pyllit të dendur e territ
Vetëm ti dije të gjesh dritë edhe nga atje
E të ma sjellësh mua
Vëllai im o vëlla
E t’i hapje shtigjet e lumturisë
Vëllai im o vëlla
Në çastet kur të prisja të vish me lule
Tri javë
Sa tre shekuj
Sepse i dija mundësitë tua homerike
Në vend të dorës tënde me tufën me lule
Erdhi e enjtja dita e shenjtë
Erdhi pa dritë
Me një mal melankolie
Dhe me rrufenë e të parit të dymbëdhjetëshes
U fik dita jonë
Ti u bëre Faetoni vetë
E unë heliadë
Vëllai im o vëlla
Vetëm ti në atë çast më ke shikuar drejt në sy
I shkëmbenim lotët e pikëllimit si shtatë mështeknat
I mbushnim liqenet e Lurës me kokrra qelibari
E nëpër gjëmë në trungun e thatë në breg të liqenit
Me emrin tënd
Trokiste një dorë e ftohtë
Vëllai im o vëlla
Po as kjo rrufe lemerie nuk do ta prishë kurrë
Atë raport hyjnor që kemi
Vëlla e motër
Atë butësi e ngrohtësi të përcjellë me fjalë të zëshme
Se ne fjalën e kemi vegël të artë pune
Vëllai im o vëlla
E heq tash fuqishëm mbështjellcën prej nate
Sepse neve na lidh drita
E ndërpres heshtjen në shtëpi
I qasem fjalës
Sepse neve na lidh fjala
Fjala e shenjë e përjetësisë
Vëllai im o vëlla
2.PIKLLIM E SHNDRRIM
(Luran Ahmeti, 31.7.1974 – )
jam nën hijen e flamurit të zi
pa andrrën e kapërcimit të detit të mjerimit
e zeza unë pa ty
gishtat e mi mbi barin e njomë
po depërtojnë thellë nëpër shtresat e geas
bahen rranjë
nën ujnat e liqeneve me emnin tand
e zeza unë pa ty
me barrën e padurushme të qetsisë vrastare
me të tashmen që nuk asht ma
e zeza unë pa ty
nji bar tamli jam ba
me gjethet e djeguna të lumnisë
e zeza unë pa ty
në ankthin që m’ka zanë e nuk lshon
një zambak i Lurës
po e ruen bardhsinë
e po kallxon se jemi nji
e zezë motra pa vlla
3.LETËR VËLLAIT
(Me rastin e ditëlindjes)
Asgjë të re s’ka o vēlla
Gjërat janë të vjetra
Edhe të tjerat
Pemëve u bie sëmundja
Si gjithmonë
Kullës i bie gëlqerja
Si e di
Motër e jozefit u kthye
Në degë të manaferrës
E njejta punë
Vetëm unë jam tjetër
Vetëm unë ta dëgjoj zërin
(Shënim: Vëllai i Lindita Ahmetit, aktori Luran Ahmeti, ishte aktor i Dramës Shqiptare të Shkupit, i cili bëri edhe karrierë ndërkombëtare, duke u shquar veçanërisht me role në disa seriale turke. Lindi më 31 korrik 1974 dhe ndërroi jetë më 25 mars 2021, si viktimë e virusit vdekjeprurës Kovid 19.)
SHQIPËRIA IME
Shqipëria është krijuar në fund të qershorit nga drita e xixëllonjave
kur dalin si fenerë të imtë magjikë dhe i mbulojnë male e fusha
sa bëhet gati të ulet në fron perëndesha florë në mbrëmjen hyjnore
e ta shpërndajë erën e mirë të trëndafilave e të luleve alba
të cilat ia bëjnë me dije erebit se nuk mund të ketë vend në këtë të vërtetë
sepse këtu vazhdimisht çelësin do ta ketë në dorë vetëm aurora
Shqipëria është krijuar nga ëndrra më e mirë e rrufetarit mu pranë detit
duke e lënë aty shqiponjën e bardhë të bëjë roje
në shtëpinë e gurtë të Kadmit e të Harmonisë që u caktuan të jenë të Parët Mitikë
që shpikën lule e shpërndanë shkronja për librin e parë nga Sharri nga Tomorri
nga Bjeshkët e Nemuna
Shqipëria ka dalë prej zërit yllësor të orfeut
dhe është bërë këngë e lumit malor
fluturim i amshueshëm i pëllumbit të bardhë
valle e zanave me lisat e gjatë e me korin e trumcakëve
të cilën përballë persefonës e ka lozur osman takja
në këtë vend vazhdimisht bredh i biri i afërditës
e pastaj e shpërndan nëpër botë kuptimin e dheut që është sinonim i emrit të tij
prandaj djemve kësulëbardhë kah bredhin përfund degës së parë të trungut të gjuhëve
u shkëlqejnë si dielli flokët e praruar e u kumbojnë fjalët
nga sytë e tyre reflektohet magjia e liqeneve të Lurës
ndërsa këngën e kanë vazhdim të këngës së linit
kjo është Shqipëria ime
Shqipëria është një trëndafilnajë e vendosur mbi shkrepa
ku banojnë shpresat më të bukura
ku nga rrënjët e rrapeve mijëvjeçare
dëgjohet edhe sot tregimi i gurrës së Dodonës
Shqipëria është orakulli ku vashat e kanë zbuluar fronin e birit të diellit
ajo është bari i mirë që sot shëron plagët e rënda
të hapura nga Era e Kuqe
është muri kundër furtunës polare me arushën e tërbuar
Shqipëria herë është bletë në lulet parajsore
herë është pikturë e adem kastratit
pastaj del si një varg rruazash të bëra prej mija kokrrash xhevahiri
Shqipëria është djega ime
ËNDËRR NË SHTEGUN E HAPUR
zogjtë zogjtë e dashur të afërditës
fluturojnë fluturojnë
fluturojnë hapësirave
bukurisë së lënduar
dhe përpiqen ta mbushin shpresën
me trëndafila erëmirë
siç do perëndesha e tyre madhështore
zbresin një nga një
dhe qetësohen në prehrin e nënës tokë
renditur në varg
ndalen në tegelin e ëndrrës sonë
me dyer të hekurta mbyllur
në të cilat rri varur një dry i madh
këndojnë zogjtë
dhe në notat e imta të tyre
ndjehet se diçka nuk shkon
nuk lexohen qartas shenjat
e porosisë
që duan ta çojnë
për të tre vetat e hedhura në harresë.
BANU PRAPË TRANDAFIL I KUQ
Ti që ishe trandafil i kuq
puthitun për dritaren teme
tash je ba diçka tjetër
kuptim i largët
nji pikë e paqartë
në gjanësinë e horizontit
si shkoi vera
u trete edhe ti me emnin djaloshar
mbas teje u mshelën dyert e ftofta
dielli i tregon dhambët e tij tash
ban skulptura të ndryshme prej hejzish
t’lëvaren n’dritaren teme
e me t’prekunit tem të ngrohtë
t’lentohen tingujt
që e bajnë kangën
plot pikëllim
e cila quhet
banu prapë trandafil i kuq
pranë dritares seme
EJA YLL
Eja yll tregomë
Ah o yll i këputur
o yll që i ke ikur hënës
si bjondi që më ka ikur mua
nga vargu
ec pak në kullën time
dritaren e kam çelur
o yll që ke parë lumin e gjatë
që ke parë nimfat që krihen në hënë
që ke parë burimet e dafnisit
o yll që bredh në hapësirë
kthe pakëz në kullën time
në qytetin e gurtë
o yll që ke parë Evropën plakë
që ke parë rrugët pa shpresë
eja tregomë
a ma ke parë djaloshin bjond
(Nga përmbledhja “Mjedra dhe bluz”)
BRYMA
ditë muaj e stinë janë futur në thesin e eolit
s’e dimë më verë është apo dimër
pyllin e shenjtë e ka mbështjellë një sferë mjegulle
e s’e lë një të vetmin çast të çojë krye
kurse bryma e ndjek blerimin hap pas hapi
me shkëlqimin e saj të ftohtë
jashtë mezi duket ndonjë gjeth që ka mbetur në pëlhurë merimangash
majë ndonjë dege
ku e ka hedhur era
del në sipërfaqe vetëm e marta e shkretë midis mjegullës së rrallë
ajo është ditë e syçeltësisë dhe trishtimit
atë ditë aresi zbret në pyll nga olimpi dhe i pastron armët
atë ditë bryma i rrëzon petalet e fundit të lules
iris illyrica
është ditë kur mprihet shpata e përdorur shumë
kur dëgjohet vajtimi i metalit
i gërvishtur nga griha
atë ditë zogjtë solemnisht e ngrenë zërin e mekur nga kaçubat
atë ditë dështon kënga kryengritëse e driadës
kundër hyjnisë së luftës
kundër brymës që i mbulon lëndinat e haresë
që s’e lë një gjeth të pemëve të egra malore
dhe e shtron çarçafin ngjyrë gëlqereje të përlyer të ftohtësisë
mbi myshkun e lëmashkun e gurit
e te rrënjët e lisit
kur rri driada
dhe ku flokët ia zbardh asaj krahneza
(Nga përmbledhja “Mështeknaja e babait me mallëngjim, 2015)
KULLA
im atë del nga shtëpia
pa vënë re kulmin që mungon
futet në hapësirën e pafundme shkretinore
i mbështjellë me gjysmëterrin ngjyrë vjollce
dhe me të ftohtin e thatë
del të sodisë
t’i venerojë pikat e shtigjeve
që shpiejnë në tri qytetet e pikëlluara
e vë dorën im atë mbi vetulla
asgjë e veçantë
vetëm kulla
e lartë e lartë
po kulla është diç tjetër
asaj vetë ia ka vënë themelet
fshati s’e çmon veprën e bashkëfshatarit
prandaj askush s’e heton
im atë ia kthen shpinën kullës
pastaj ulet në rërë
duke i fërkuar duart prej së ftohti
kulla
sërish kulla para tij
kulla në pafundësinë ngjyrë vjollce
noton në vetmi
ngado që kthehet im atë
kulla para tij
ai shkon me bohçen e dhembjes mbi kokë
kulla i bën roje lartësisë dhe bardhësisë
dhe duket larg larg
midis gjysmëterrit
me veshën e saj prej fildishi
me stolitë prej vargjeve të ndritshme
me këngën time të këputur
me frymën e ngrohtë të erosit
pastaj brof në këmbë im atë
era e ftohtë bën muzikë
kurse grimcat e rërës lozin vallen e vetmisë
nga dritaret e shumta të kullës rrumbullake
fluturojnë flutura të bardha
u nis im atë
ylli i dritës lart
kjo kullë poshtë
ai i ka koordinatat e mëngjesit