Tribunë “30 vite zhvillim i Armatës-formim, ngjarje, suksese, sfida, ardhmëri”

Shkup, 28 mars – Në organizim të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtatmadhoria e Armatës dhe Asociacioni i shoqatave nga sfera e sigurisë, mbrojtjes dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, sot në Shkup do të mbahet tribunë me temë “30 vite zhvillim i Armatës-formim, ngjarje, suksese, sfida, ardhmëri”.

Me tribunën, siç informojnë nga MM dhe nga Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të shënohet fillimi i aktiviteteve për shënimin e jubileut tridhjetëvjeçar të Armatës.

Organizuesit paralajmërojnë se në tribunë, mes tjerash, fjalim do të ketë presidenti dhe komandant suprem i Forcave të armatosura, Stevo Pendarovski, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-nënkoloneli Vasko Gjurçinovski, ministri i parë i Mbrojtjes, Trajan Gocevski, shefi i parë i Shtatmadhorisë, gjenerali Mitre Arsovski.

“Kjo do të paraqesë mundësi, përmes pikëpamjeve politike dhe të ekspertëve për arritjet në mbrojtjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga pavarësimi deri në rrumbullakësimin e procesit të integrimit ushtarak dhe anëtarësimit dyvjeçar në NATO, të shqyrtohen dhe ceken sfidat e mëtutjeshme dhe drejtimet e zhvillimit. me tribunën fillohen aktivitetet e planifikuara me të cilat do të shënohet jubileu 30 vite nga formimi i Armatës: ekspozita, koncerte, gara sportive, aksione humanitare, festime në njësi dhe të tjera”, thuhet në kumtesën e MM-së dhe SHM të Armatës.

Në tribunë, krahas kreut më të lartë ushtarak, janë ftuar dhe pritet të marrin pjesë ish-ministra të mbrojtjes dhe shefa të shtatmadhorisë së Armatës, gjeneralë aktivë dhe të pensionuar dhe përfaqësues të shoqatave nga domeni i mbrojtjes dhe klubit diplomatik