Tribuna “Reformat sistematike – lufta kundër krimit të organizuar”

Shkup, 30 janar – Në organizimin e Lidhjes Demokratike, sot në Shkup, do të mbahet tribunë me titull “Reformat sistematike – lufta kundër krimit të organizuar”, lidhur me draft-versionin e Ligjit për Agjencinë për luftën kundër formave të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

Në tribunë është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, profesorit të Fakultetit të Drejtësisë pranë Universitetit Shën Cirili dhe Metodi, Gordan Kallajxhiev, prof. dr. Sllagjana Taseva nga Transparensi Interneshënëll dhe gazetarit Sashe Dimovski.

“Në 32 vitet e fundit grupet qeverisëse nuk ndërtuan një pozicion të qartë politik dhe nuk ndërmorën asgjë për të ndërtuar një sistem efikas për të parandaluar dhe çrrënjosur krimin e organizuar institucional dhe korrupsionin. Përkundrazi, Qeveria në tërësi është gjeneratori i kriminalizimit të shtetit”, vlerëson LD.
Sipas arsyetimit në Propozim-ligjin e dorëzuar në Kuvend nga deputeti dhe lideri i LD-së Pavle Trajanov, me ligjin hapet një luftë reale, dhe jo vetëm verbale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.
Agjencia duhet të zbulojë pasurinë e fshehur të bartësve të krimit të organizuar, të iniciojë procedurë (duke ngritur kallëzim penal) për përgjegjësinë penale të bartësve të funksioneve publike dhe bartësve të tjerë të krimit të organizuar, të propozojë konfiskimin e pasurisë së fituar me mjete kriminale dhe ndalimin e veprimit politik (lustrimin).