Trençevska: Vetëm të bashkuar mund të arrijmë rezultate kundër dhunës në familje

Shkup, 23 mars – Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska sot mori pjesë në punëtorinë për zbatimin e Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhunës në familje. Në punëtorinë e organizuar në bashkëpunim me UNFPA, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave u informuan për aktivitetet e projektit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave.

Në fjalimin ministrja Trençevska tha se Qeveria dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale çdo ditë po përmirësojnë politikat nacionale për trajtimin, parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës gjinore. Ajo tha se është më e rëndësishme që të gjitha institucionet dhe aktorët që punojnë në parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave për të pasur një procedurë efektive për mbrojtjen dhe riintegrimin e tyre në sistem, të bashkohen.

Sipas saj, trajnimi i profesionistëve përkatës që merren me viktimat apo autorët e të gjitha akteve të dhunës të mbuluara nga Konventa e Stambollit kontribuojnë në parandalimin dhe zbulimin e dhunës ndaj grave.

“Është detyrim i të gjithëve që të kontribuojmë së bashku për të pasur një sistem funksional që do të jetë efektiv dhe do të kontribuojë në parandalimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave. Është fakt se kemi ende punë për të bërë, para së gjithash në promovimin e shërbimeve, qasjen multisektoriale, zbulimin e hershëm, si dhe ngritjen e vetëdijes tek gratë se është shumë e rëndësishme të raportohet dhuna”, tha ministrja Trençevska.

Qëllimi i projektit është të mbështesë Qeverinë në krijimin dhe zbatimin e politikave të integruara për dhunën me bazë gjinore në të gjithë vendin në përputhje me parimet e Konventës së Stambollit. Implementues i projektit “Parandalimi dhe mbrojtja nga dhuna me bazë gjinore në Maqedoninë e Veriut” është Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).