Trençevska-Saiti: Do ta thellojmë bashkëpunimin në interes të qytetarëve

Shkup, 2 shkurt – Në dobi të qytetarëve, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në periudhën në vijim do ta thellojë bashkëpunimin me Kryqin e Kuq, tha ministrja e MPPS, Jovanka Trençevska në takimin e sotëm me sekretarin e përgjithshëm të Kryqit të Kuq, Sait Saiti. Në takimin e punës janë shqyrtuar projektet e deritanishme dhe të ardhshme të përbashkëta, siç janë edukimi i të rriturve për asistim personal të personave me aftësi të kufizuara dhe për kujdestarët për ndihmë dhe kujdes të personave të moshuar dhe personave me aftësi të kufizuara.

“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut janë partnerë në projektin trevjeçar “Mbështetje për zhvillimin gjithëpërfshirës të shërbimeve komunitare për kujdes afatgjatë përmes përfshirjes së shumë palëve të interesuara (InCARE)”, i mbështetur. nga Bashkimi Evropian përmes programit “Punësimi dhe inovacioni social – EaSI”. Me këtë projekt përmirësojmë qasjen në kujdes adekuat dhe të pranueshëm për të moshuarit të cilët kanë nevojë për kujdes për shkak të çrregullimeve konjitive apo funksionale”, thotë ministrja Trençevska.

Ajo theksoi se edhe me shërbimin e quajtur “Butoni urgjent” shfrytëzuesit në mënyrë të lehtës dhe efektive do të mund të marrin ndihmë gjatë rasteve emergjente edhe në shtëpi edhe jashtë nëse ka nevojë për ndihmë urgjente mjekësore.

Sipas Saitit, bashkëpunimi i Kryqit të Kuq me MPPS-në është vendimtar në arritjen e misionit të organizatës. Ai informoi se projekti i asistencës personale për personat me aftësi të kufizuara dhe ndihmës për të moshuarit, i udhëhequr nga MPPS, realizohet me sukses në terren.

“Aktualisht punojmë në mbështetjen e personave me aftësi të kufizuara përmes asistimit personal, ndërsa projekti kujdes i personave të moshuar po përhapet në mënyrë solide midis qytetarëve. Ky shërbim tani për tani zbatohet në tetë-nëntë komuna, ndërsa për më tepër me mbështetje nga Banka Botërore shërbimin e qytetarëve ua mundësojmë edhe në shtatë deri në tetë komuna. Shërbimi është pranuar shumë mirë”, tha Saiti.

Dy bashkëbiseduesit, siç kumtoi MPPS-ja, u pajtuan se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Kryqi i Kuq në mënyrë të paanshme investojnë në procesin për përmirësimin e situatave të personave të cilëve ndihma u është e nevojshme.