Trençevska: Qytetarët të jenë të qetë, do të ketë edhe pensione edhe paga

Shkup, 5 tetor – Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, u thotë qytetarëve të jenë të qetë, sepse, siç thekson, do të ketë para për pagesën e pensioneve dhe pagave, duke theksuar se mjetet për pagesë të pensioneve, pagave dhe shtesave për mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve janë të parapara në buxhet.

“Pensionistët morën pensionet e shtatorit, u rritën me 6,8 për qind dhe sipas metodologjisë së re, pensionet do të rregullohen dy herë në vit, në shtator dhe mars. Qëllimi i një zgjidhjeje të tillë është krijimi i sistemit për rritjen e përhershme të pensioneve. Në shifra, një pensionist me pension mesatar prej 16.376 denarë në gusht ka marrë 17.490 denarë në muajin shtator, krahasuar me qershorin e vitit 2017, që është rreth 3.500-4.000 denarë më shumë në llogarinë e secilit pensionist”, tha Trençevska në paraqitjen televizive “24”, ku foli për disa tema që janë në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës.

Metodologjia e re, shton ajo, parashikon rregullimin e pensioneve, sipas lëvizjes së indeksit të kostos së jetesës në masën 50 për qind dhe rritjes së pagës mesatare të paguar për të gjithë punonjësit në shtet në masën 50 për qind, sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror për Statistikë.

Trençevska informoi se tashmë është diskutuar me shoqatat e pensionistëve për rritjen e pensionit minimal, për të cilin do të hapet dialogu social dhe do të krijohet zgjidhja më e qëndrueshme.