Trençevska: Me LSM-në do të flasim për rritjen e pagës minimale në 18.000

Shkup, 31 janar – Puna e punëtorëve duhet të respektohet, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të statusit të punës dhe cilësisë së jetës në kushte të krizës ekonomike dhe shëndetësore. Prandaj, Qeveria përmes dialogut me punëtorët dhe punëdhënësit do ta rrisë pagën minimale në 18.000 denarë ndërsa deri në fund të mandatit në 20.000 denarë, thotë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.
Ajo në intervistë për emisionin e mëngjesit të RTMV-së ka sqaruar se sot së bashku me përfaqësuesit e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë do të ketë takim te zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi.
“Do të diskutojmë për pagën minimale dhe dialogun që do ta vazhdojmë edhe më tutje në Këshillin Ekonomik dhe Social për të gjetur zgjidhjen më të mirë të pranueshme për të gjithë”, tha ministrja Trençevska në intervistën.
Ministrja informoi se shërbimet inspektuese janë duke monitoruar me vëmendje zbatimin e Ligjit për marrëdhënie pune dhe ligjit për tregtinë lidhur me zgjidhjen ligjore që të dielën të bëhet ditë jopune me të cilën 92 për qind e punëtorëve nuk do të punojnë. Trençevska thekson se nga fillimi i vitit janë kryer 163 inspektime, ku janë konstatuar 34 parregullsi për të cilat janë shqiptuar masa inspektuese. Prej tyre, 29 janë vendime për vërejtje sipas Ligjit për Marrëdhëniet e Punës dhe 5 për ndalesë sipas Ligjit për Tregti.
“Të gjitha të dhënat nga inspektimet e kryera publikohen publikisht në faqen e Inspektoratit Shtetëror të Punës. Pres që së shpejti të publikohet lista e punëdhënësve që kanë dorëzuar njoftim, në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës, nga detyrimi për të raportuar se do të punojnë të dielën. Kështu, të gjithë qytetarët dhe mediat e interesuara mund të ndjekin se cilët punëdhënës do të punojnë të dielën. Nëse të dielën shohin se dikush nuk ka raportim për punë, do të mund ta raportojnë parregullsinë”, tha ministrja Trençevska.
Sipas saj, praktika do t’i tregojë efektet e zbatimit të ditës jopune të së dielës, sepse në terren Ligji për ditën e diel jopune zbatohet vetëm për një muaj. Analizat shtesë do të përcaktojnë nëse qëllimi është arritur.
Me zgjidhjen e re ligjore, 8 për qind e punëtorëve që punojnë në procesin tekniko-teknologjik që nuk mund të ndërpritet të dielën, do të përfitojnë 50 për qind më shumë mëditje dhe një ditë pushim shtesë gjatë javës së ardhshme.
Trençevska informoi se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale që nga hapja e kopshteve në shtator të vitit 2020 e deri më sot, është duke e monitoruar nga afër situatën në lidhje me pandeminë e shkaktuar nga kovid 19 dhe se përqindja e të punësuarve të vaksinuar në kopshte është e lartë.