Trençevska: Komuniteti rom mbetet pjesë e prioriteteve në programin e Qeverisë

Shkup, 18 shkurt – Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska sot u takua me përfaqësues të OJQ Çelim nga Italia dhe me Qendrën Burimore Rome nga Shkupi, si implementues të projektit “Sigurimi i kushteve dinjitoze për banim të komunitetit rom”, si pjesë e IPA II Planii i veprimit 2017, ndërsa në bashkëpunim me MPPS-në.

Ministrja theksoi se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me përkushtim po punon në krijimin e politikave dhe aktiviteteve të cilat duhet të jenë përgjigje e sfidave të kategorive më të ndjeshme të qytetarëve. Në këtë drejtim është edhe projekti i cili ka për qëllim përmirësimin e kushteve për banim të komunitetit rom.

“Mbështetja për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, përfshirë edhe komunitetin rom është pjesë edhe e Programit për punë të Qeverisë së RMV-së 2022-2024, ku janë theksuar përpjekjet për integrim më të madh të romëve në të gjitha aspektet e shoqërisë, arsim, punësim, shëndetësi, kulturë, avancim të statusit të tyre civil dhe banimit. Më 15 shkurt Qeveria e miratoi edhe Strategjinë për inkluzion të romëve 2022 -2030 si pjesë e politikave publike të shtetit dhe ka përfitime afatgjata për komunitetin rom”, theksoi ministrja Trençevska, transmetojnë nga kabineti i saj.

Siç informojnë nga MPPS-ja, Strategjia është hartuar në përputhje me Kornizën strategjike të BE-së për integrimin e romëve për periudhën 2021-2030, e cila promovon barazi dhe përfshirje socio-ekonomike të popullatës rome në nivel të Bashkimit Evropian.

Bashkëbiseduesit kanë shprehur bindje për vazhdimin e bashkëpunimit, me qëllim të avancimit të statusit dhe standardit jetësor të komunitetit rom në Maqedoninë e Veriut.