Trençevska: Jemi duke zbatuar një projekt për punësimin e personave me aftësi të kufizuara

Shkup, 4 mars – Në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2021 në kapitullin 19 theksohet se shteti duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë zbatimit efektiv të masave aktive për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës, duke siguruar kontroll adekuat dhe vlerësimin e masave, tha koordinatorja nacionale e NKEU-MK, Mileva Gjurovska në fjalimin hyrës të seancës së sotme “Sfidat në përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës: praktikat evropiane dhe mundësitë kombëtare”.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska në fjalimin e saj theksoi se me ndihmën teknike të Bankës Botërore është duke u zhvilluar një projekt që do të mundësojë punësimin e personave me aftësi të kufizuara, përmes prezantimit të modelit të ri dhe kornizës së re legjislative.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është zgjerimi i mundësive të punësimit të personave me aftësi të kufizuar dhe rritja e përfshirjes së tyre në tregun e punës. Me prezantimin e modelit të ri të punësimit, synohet të përmirësohet qasja e personave me aftësi të kufizuara në mundësitë e punësimit dhe të kontribuohet me sukses në ngritjen e mirëqenies së tyre. Në vend që të përfshihen në sistemin e mbrojtjes sociale, përfitues të ndihmës sociale, të mund të sigurojnë ekzistencë në mënyrë të pavarur për veten dhe familjet e tyre”, thotë Trençevska.

Ajo shtoi se mbështetja e shtetit për këta persona është e fokusuar plotësisht në punësimin e tyre në tregun e hapur të punës dhe integrimin dhe socializimin e tyre të plotë. Modeli i ri i punësimit të këtyre personave është planifikuar të zbatohet në faza dhe hap pas hapi.

“Në pjesën e përgatitjes së zgjidhjes ligjore do të konsultohen, gjegjësisht do të bëhen analiza krahasuese me praktikat e mira nga vendet tjera për të nxjerrë shembuj pozitivë nga vendet e rajonit dhe më gjerë”, përfundoi ministrja.

Seanca vazhdon me debat të ekspertëve maqedonas dhe sllovak, profesorë universitarë, përfaqësues të Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë dhe Agjencisë për Punësim si dhe përfaqësues të sektorit civil. Kjo seancë është pjesë e Konventës Nacionale për Bashkimin Evropian në Maqedoninë e Veriut dhe pjesë e Grupit Punues 2 – Politikë Sociale dhe Punësim – Kapitulli 19.