Trençevska: Inspektorati Shtetëror i Punës vazhdimisht është në teren, deri më tani janë bërë 347 mbikëqyrje për “E diela ditë jopune”
Shkup, 5 mars – Shërbimet inspektuese të Inspektoratit Shtetëror të Punës janë vazhdimisht në teren që të konfirmojnë se di po zbatohet zgjidhja ligjore me të cilën e diela u bë ditë jopune për punëtorët, informoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.
Siç bëjnë të ditur nga Ministria, Trençevska në intervistë për median elektronike Frontllajn.mk ka theksuar se për vetëm dy muaj ISHP ka bërë 347 mbikëqyrje.
Informoi se nga masat e shqiptuara numri më i madh janë për punëdhënës të cilët nuk e kanë njoftuar ISHP se punëtorët do të punojnë të dielën.
“Inspektorati është pjesë e përjashtimeve që mbulon Ligji, në mënyrë që të mund të kontrollojë se sa prej punëdhënësve nuk respektojnë dispozitat e Ligjit. Gjatë 347 kontrolleve janë konstatuar 56 parregullsi, të cilat kanë rezultuar me 56 masa inspektuese – paralajmërim për 56 persona juridikë që nuk e kanë njoftuar ISHP-në se do të punojnë të dielën. Pas vendimit për vërejtje ata kanë dorëzuar njoftim se do të punojnë të dielën. 14 punëdhënësve u janë shqiptuar masa inspektuese – ndalim për ushtrimin e veprimtarisë në afat prej 15 ditësh, konform dispozitave penale të Ligjit për marrëdhënie të punës. Sipas të dhënave të ISHP, deri më tani 44 punëdhënës që kanë punuar të dielave kanë paguar shtesë pagash për punën e të dielës, ndërsa 5 punëdhënës nuk e kanë respektuar zgjidhjen ligjore dhe ndaj tyre janë shqiptuar sanksione kundërvajtëse në përputhje me Ligjin për marrëdhënie pune”, tha ministrja.
Shtoi se inspektorati i ISHP edhe më tutje intensivisht do të jetë në teren sepse e diela duhet të jetë dita kur punëtorët do t’i kushtojnë kohë familjeve dhe miqve të tyre.
“Me zgjidhjen e re ligjore 92 për qind e punëtorëve nuk punojnë të dielën, 8 për qind të cilët punojnë të dielën në veprimtaritë ku procesi i punës nuk lejon të ndërpritet, për punën e tyre marrin mëditje 50 për qind më të lartë për të gjitha orët e punës, ndërsa punëtorët të cilët punojnë në veprimtaritë tregtare, marrin mëditje më të mëdha për 100 për qind”, është bërë e ditur në kumtesë.

