Tregu i Preshevës, një hijë e së kaluarës

Dikur, dita e shtunë në Preshevë ishte sinonim i gjallërisë. Tregu nuk kufizohej vetëm në hapësirën e tij të zakonshme, por shtrihej nëpër rrugë dytësore, deri tek ish-stacioni i autobusëve. Njerëzit shisnin e blinin gjithandej, një pazari i madh që mbushte qytetin me zëra, lëvizje dhe jetë.

Zhurma e tregtarëve, pazaret, nxitimi i blerësve—ishte një atmosferë që e bënte qytetin të gjallë.

Sot, kur shkon në treg, nuk e ndien më atë atmosferë. Nuk duket se është e shtunë, dita kur dikur Presheva gjallërohej.

Përveç disa tregtarëve afër stadiumit të vogël që shesin rroba dhe pajisje, ta jep një ndjenjë tjetër që duket e zbrazët. Vetëm shitësit e patikave duken më të zënë, pasi aty grumbullohen të rinjtë që kërkojnë një palë patika të reja dhe ata më të moshuarit që po gjetën ndonjë aparat që i duhet e blejnë.

Mungesa e njerëzve ka ndryshuar gjithçka. Një treg pa njerëz nuk është më treg. Nuk ka më rrëmujën e këndshme të shitësve, nuk ka më ndjenjën e një pazari të vërtetë.

Tregu i dikurshëm i Preshevës nuk është më – ka mbetur vetëm si një kujtim. Tradita po shuhet dalëngadalë dhe qyteti duket sikur ka humbur një pjesë të shpirtit të tij.