Tregtia e Kinës me vendet e nismës “Një brez, një rrugë” është rritur fuqishëm

Marrëdhëniet ekonomike-tregtare ndërmjet Kinës dhe vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë” janë forcuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, bëri të ditur zv.ministri i Tregtisë Sheng Qiuping të premten.

Duke folur në një konferencë shtypi, ai tha: “Me gjithë pandeminë e zgjatur të COVID-19 dhe situatën e ndërlikuar ndërkombëtare, ndërtimi i ‘Një brez, një rrugë’ vazhdon të tregojë qëndrueshmëri dhe gjallëri të fortë, duke i dhënë një shtysë të fortë hapjes e bashkëpunimit global dhe rimëkëmbjes ekonomike botërore.”

Nga viti 2013 deri më 2021, vlera vjetore e tregtisë ndërmjet Kinës dhe vendeve përgjatë “Një brez, një rrugë” u shtua nga 1.04 trilion në 1.7 trilion dollarë amerikanë, duke shënuar një rritje prej 73 %.

Sheng Qiuping tha se Kina nënshkroi kontrata të reja me vlerë rreth 1.08 trilion dollarë me vendet përgjatë “Një brez, një rrugë” lidhur me projekte inxhinerike në transport, energjinë elektrike dhe fusha të tjera.

Gjatë kësaj periudhe, investimet e drejtpërdrejta të Kinës në vendet përgjatë “Një brez, një rrugë” arritën në 161.3 miliardë dollarë, ndërsa 32 mijë ndërmarrje u krijuan në Kinë nga këto vende, me një investim të përgjithshëm 71.2 miliardë dollarë, shtoi Sheng.

Në katër muajt e parë të sivjetshëm, importet dhe eksportet e Kinës me vendet e “Një brez, një rrugë” u rritën 15.4 %, duke arritur në rreth 588 miliardë dollarë dhe duke u shtuar 7.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëri të ditur nëndrejtori i Administratës së Përgjithshme të Doganave, Qang Lingjun.