Tre sulmuesit që Milani ka në radar për sezonin e ardhshëm
Milani po punon me intensitet të lartë për të gjetur një sulmues të ri kryesor, një “numër 9” që do të jetë pika e referencës së skuadrës në afatin kalimtar të verës.
Pas afrimit të Fullkrug dhe tentativës së dështuar për Mateta në janar, për shkak të problemeve fizike të këtij të fundit, drejtuesit e klubit kuqezi e kanë të qartë se skuadra ka nevojë për një golashënues të sigurt.

Sipas asaj që raporton Tuttosport, Igli Tare dhe Giorgio Furlani kanë përgatitur një listë me tre emra kryesorë për të udhëhequr repartin ofensiv në “San Siro”.
Favoriti kryesor është Moise Kean, sulmuesi i Fiorentinës po zhvillon një sezon shumë pozitiv, me 7 gola dhe 3 asistime në 26 ndeshje në të gjitha kompeticionet.
Ai ka një klauzolë lirimi prej 62 milionë eurosh, e vlefshme vetëm gjatë dy javëve të para të muajit korrik, çka e bën operacionin të qartë por të kushtueshëm.

Megjithatë, Milani nuk ndalet vetëm te kjo pistë dhe ka rifilluar kontaktet me rrethin e Dusan Vlahovic.
Opsioni i tretë vjen nga Liga Premier, emri i Gabriel Jesus po fiton terren si alternativa më ndërkombëtare për Milanin.
Sulmuesi brazilian ka kontratë me Arsenalin deri në vitin 2027, por situata e tij po monitorohet me shumë vëmendje nga drejtuesit kuqezinj.

Objektivi i Milanit është i qartë, një sulmues i aftë të garantojë 15 deri në 20 gola për sezon.
Procesi i përzgjedhjes ka nisur dhe klubi nuk ka ndërmend të humbasë kohë.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë emri që do të veshë fanellën e Milanit, me synimin për të udhëhequr sulmin dhe për të rikthyer skuadrën në majat e futbollit italian dhe evropian.

