Tre oda mjekësore kërkojnë heqjen e ligjit për mbrojtje të të dhënave personale

Shkup, 24 mars – Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale të mos zbatohet në institucionet private shëndetësore me numër të vogël të të punësuarve, kërkojnë Oda e Mjekëve, Farmaceutike dhe ajo Stomatologjike, sepse vlerësojnë se detyrimet të cilat dalin nga ky ligj krijojnë detyrime administrative plotësuese, si dhe rëndim të panevojshëm financiar.

Siç bëjnë të ditur në kumtesën e përbashkët të tri odat, mbrojtja e të dhënave personale e pacientëve është e rregulluar dhe zbatuar si prioritet në punën e institucioneve shëndetësore në përputhje me rregullat e rrepta të cilat dalin nga Ligji për mbrojtje shëndetësore.

“Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale imponon procedura të pakuptueshme dhe komplekse për punonjësit shëndetësorë. Në objektet e kujdesit shëndetësor me dy punonjës, një mjek dhe një infermier, ose një farmacist dhe një teknik farmacie, nuk ka kush të jetë përpunuesi i të dhënave personale, zyrtari i konfidencialitetit të të dhënave personale dhe kush kontrollues. Gjithashtu, përgatitja e të gjitha akteve, procedurave dhe vendimeve të brendshme, përgatitja e dokumentacionit për masat teknike dhe organizative ose enkriptimi, për objektet e vogla shëndetësore private janë përgjegjësi shtesë dhe një angazhim i madh për numrin e vogël të punonjësve. Mjeku dhe infermierja, pra farmacisti dhe tekniku farmaceutik, tashmë kanë përgjegjësi të gjera administrative ndaj institucioneve që kontrollojnë punën e tyre, dhe detyrimet nga Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale rëndojnë më tej në mënyrë të panevojshme kohën efektive që duhet t’u kushtohet pacientëve” thuhet në deklaratë.

Njëherësh, odat ekonomike sugjerojnë edhe se me vendosjen e përgatitjes së akteve interne, procedura, vendime dhe formularë në subjektet nga shëndetësia, artificialisht është krijuar treg për shërbimet që direkt janë të lidhura me detyrimet të cilat dalin nga Ligji për mbrojtje të të dhënave personale. Theksojnë se shumë individë, avokatë dhe firma janë paraqitur si ofertues i shërbimeve për përgatitjen e rregulloreve të cilat dalin nga Ligji për mbrojtje të të dhënave personale, me oferta me shuma të larta, që, shtojnë, në mënyrë plotësuese do ta rëndonin edhe ashtu buxhetin e vogël të institucioneve shëndetësore.

Gjithashtu, si argument i cili duhet të merret parasysh e theksojnë edhe atë që ky detyrim vendoset në kohë të pandemisë kur punonjësit shëndetësorë janë të rënduar me sfidën që të përgjigjen në nevojat e rritura të pacientëve në lidhje me trajtimin e virusit.

“Mjekët e mjekësisë, farmacistët dhe mjekët e stomatologjisë kanë dhënë Betimin e Hipokratit dhe punojnë sipas deontologjisë dhe etikës mjekësore, farmaceutike dhe stomatologjike dhe mbrojtjes së të dhënave personale të pacientëve të tyre janë prioritet në punë, ndërsa çdo detyrim plotësues vetëm i rëndon punonjësit shëndetësorë dhe bashkëpunëtorë dhe institucione shëndetësore”, qëndron në kumtesë.