Transportuesit privat do t’i zhbllokojnë udhëkryqet, protestën e zhvendosin para qytetit të Shkupit

Shkup, 8 Dhjetor – Autobusët privatë nga udhëkryqet e Shkupit protestën do ta vazhdojnë para Qytetit të Shkupit. Nga nesër do të bllokohet bulevardi “Ilinden”. Shoferët shprehen të indinjuar nga injorimi që iu bëhet nga autoritetet. Qytetarët të cilët pësojnë më së shumti nga kjo situatë, bëjnë thirrje për zgjidhje urgjente.

“Sot lirohet nga një korsi në të gjitha anët, ndërsa nga dita e nesërme udhëkryqet ku po protestohet do të jenë të lira, autobusët tërhiqen, ata do të dislokohen tek barakat e Qytetit të Shkupit”, raporton Ajnur Bafqari, gazetare e Alsat.

Pas një mbledhjeje të trupit koordinues, shoferët vendosën që nesër në orën 10:00 me rreth 200 autobusët privatë të bllokojnë të gjitha katër korsitë në bulevardin “Ilinden”.

“Çdo ditë e më shumë, revolta jonë fokusohet ndaj udhëheqësisë së Qytetit të Shkupit, kështu që, trupi koordinues tani solli vendim që protestat nga udhëkryqi ‘Kryqi I Kuq’ dhe ‘Mavrovasja’ t’i dislokojmë, nesër, e premte, në orën 10:00 para barakave të Qytetit të Shkupit, në bulevardin ‘Ilindenska’ që do të bllokohet në të gjitha 4 korsitë. Sa herë kemi kërkuar takim me kryetaren e Qytetit të Shkupit, sa herë ju mediat e keni pritur t’u jep deklaratë, e dini të gjithë, të gjithë jemi dëshmitarë se ju gënjen, fillimisht juve mediave, se për ne as që bëhet fjalë më” , tha një shofer.

Shpalljen publike të Qytetit të Shkupit shoferët e cilësojnë si jokorrekte, insistojnë që Qyteti i Shkupit të shlyejë borxhet që i ka ndaj tyre, ndërsa u kërkojnë falje qytetarëve që u duhet të ballafaqohen me këto situata.

“Mua më kanë borxh rreth 6 mijë euro, unë me një ndërrim më kanë 6, por ne kemi kolegë që kanë mbajtur nga 10 ndërrime nga 11, këtu u kanë nga 60 -70 mijë euro, e ata kanë borxhe 100 mijë euro për naftë. Ne këtë që e bëjmë për 3 vite jemi në minus“, u shpreh një tjetër shofer.

“Edhe ja si lavdërohet Danella Arsovska se e mbushi unë komplet linjat e autobusëve privat. Nuk ka lëshuar 11-she asnjë autobus, këto janë krejt manipulime. Ku i ka mbuluar sa jemi ne 200 autobusë privatë, ku I ka ato autobusë që del nëpër medium thotë se i kemi mbuluar ato linja të autobusëve privatë.”

“Tek 9-ta kemi qenë 14- 15 shërbime, tani atje janë 5 autobusë… Ne ishim në 6 minuta, ndërsa tash nuk e di, në gjysmë ore ose 1 orë.”

”12-ta kishte 5 ndërrime, tani nuk ka asnjë, 11-ta ka 5 ndërrime, tani nuk ka asnjë autobus.”

“Kush është nga Haraçina, le të tregojë a ka autobus, nuk kanë asnjë autobus. Nuk e di se përse I gënjejnë qytetarët”.

Qytetarët kërkojnë zgjidhje, thonë se mezi arrijnë të funksionojnë në këtë mënyrë.

“Shumë rëndë, por pajtohem me të gjithë që bëjnë grevë… Njerëzit kanë të drejtë, secili shkon në punë për të holla, të sjell në shtëpi, megjithatë sjellje të tillë me qeverinë nuk ngjan me asgjë. ”

“Deri tani duhej të zgjidhej, një paralajmërim, dy paralajmërime sikurse në futboll dhe karton të kuq, ka mekanizma të tjerë, autobusët mund të tërhiqen në vendparkime, le të qëndrojnë. Nëse nuk duan të vozisin le të rrinë, por le ta lirojnë qytetarët, kjo që ndodh këtu më duket se nuk ndodh askund tjetër”.

Tashmë dy javë shoferët privat protestojnë, ndërsa sot është dita e katërt që kur autobusët janë vendosur nëpër udhëkryqet më të frekuentuara të qytetit. 3 ditë këto udhëkryqe ishin tërësisht të bllokuara, ndërsa sot nga të gjitha anët është liruar nga një korsi për lëvizje.