Tramp paralajmëroi për kandidaturë të tretë për funksionin e presidentit

Ish-presidenti amerikan, Donald Tramp, paralajmëroi se mund të kandidojë edhe për herë të tretë për president.

Ai tha në një tubim në Uashington të organizuar nga anëtarë të ish-administratës së tij se përpjekja për impiçment ndaj tij dhe hetimi për sulmin në Kapitoll më 6 janar të vitit 2021, synojnë ta pengojnë atë të kandidojë.

“Ata duan t’ju lëndojnë, por me të vërtetë duan të më lëndojnë mua, që të mos punoj më për ju…Unë nuk mendoj se ata do të kenë sukses”, u tha Tramp mbështetësve të tij.

Sipas raportimeve të mediave, ai pritet të njoftojë në shtator se po hyn në fushatë të tretë presidenciale.

Edhe pse nuk e bëri të ditur zyrtarisht, Tramp në fjalimin e tij paralajmëroi se nuk ka në plan të largohet nga skena politike.