Trahanë e ngrohur!

Në këto ditë të ftohta, një prej ushqimeve më të ngrohta dhe më të shijshme është edhe trahanaja

Receta tradicionale turke është e vjetër dhe e dashur edhe për ne. Kush nuk i mban mend mëngjeset apo mbrëmjet e ftohta kur gjyshet na vinin përpara trahananë për t’u ngrohur?

Zakonisht, trahanaja është një ushqim i përgatitur në shtëpi, nga brumi i ardhur i gatuar me kos dhe miell gruri (brumë i thartë me miell gruri që zihet me kos a me qumësht e pastaj thahet në diell e thërrmohet; një lloj qulli pak i thartë që bëhet me këtë brumë).

Procesi i fermentit të trahanasë, i cili ndodh gjithmonë në verë, për shkak të tharjes në temperatura të larta, ka disa përbërës shumë të thjeshtë.

Sipas recetës turke, përbërësit janë: kos i thjeshtë, miell, piper i kuq, qepë dhe domate.

Po kështu, trahanaja atje serviret në dy variante: e thatë dhe likuide. Lloji më i zakonshëm i trahanasë është kjo e dyta, e cila është shumë më e thjeshtë për t’u bërë gati si supë.

Megjithatë, edhe nëse ju keni në shtëpi një trahana të thjeshtë (sipas recetës shqiptare vetëm me kos e miell gruri), mund të ndërtoni me të një supë jo të zakonshme. Ja se si:

Përgatitja:

Për të përgatitur supën, fillimisht hidh trahananë në një tas me ujë të ngrohtë bashkë me erëza (piper i kuq, spec i kuq i bluar ose edhe pak piper të zi).

Në një tigan skuq për disa minuta një kokërr qepë derisa të marrë ngjyrë transparente. Një kokërr domate, të cilën e ke grirë më parë imët, përzieje me qepët.

Pas kësaj, hidh trahananë tashmë të zbutur në ujë të ngrohtë. Nëse ka nevojë edhe për pak ujë, shto duke e kontrolluar që supa të ketë një lëng të trashë.

Në fund rregulloje shijen me gjalpë.