Torra Veneciane, vijon puna për restaurimin e simbolit të Durrësit

Në Torrën Veneciane, një nga simbolet e qytetit bregdetar të Durrësit vijon puna me ritme të larta për restaurimin e saj, përmes programit “EU4Culture”.

Në kuadër të mbikëqyrjes së punimeve, specialistë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore realizuan një inspektim në Kullën Veneciane.

Projekti i restaurimit, i cili filloi në muajin shkurt, synon rijetësimin e Kullës, duke e kthyer në një qendër interpretimi të trashëgimisë kulturore nëpërmjet aplikacioneve, performancave digjitale etj, duke ofruar për vizitorët, një mënyrë te re të të njohurit të historisë unike të qytetit të Durrësit.

Torra Veneciane është pjesë e siteve të programit EU4Culture financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës.

Torra Veneciane është një nga ndërtimet më interesante mbrojtëse të Durrësit. Është ndërtuar në shekullin XV mbi kullën bizantine dhe kjo ndërtesë ka qenë pjesë e mureve që rrethonin qytetin e Durrësit. Torra ka potencial të pashfrytëzuar si qendër turistike dhe e informacionit interaktiv historik, rivitalizimi i së cilës, përmes programit “EU4 Culture”, do t’i nxisë vizitorët të eksplorojnë më tej sitet e shumta unike të trashëgimisë në të gjithë Durrësin, një nga vendbanimet më të lashta të Ballkanit. / atsh