Tetova shndërrohet në kryeqendër të bashkëpunimit: Mbahet Asambleja e Përgjithshme e Unionit të Bashkive Shqiptare

Shkup, 03 Prill, medial.mk/ – Komuna e Tetovës sot ishte nikoqire e mbledhjes së Unionit të komunave shqiptare në rajonin e Ballkanit.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami informoi se në këtë takim pati diskutime me qëllim që të shqyrtohen prioritetet  punuese për vitin 2026.

“Temë diskutimi ishte realizimi i projekteve me interes të përbashkët. Tetova është pjesë e realizimit të projekteve të këtilla. Do të thotë me mbështetje të Unionit në Tetovë do të realizohet Qendra inovative për të rinj, ku të rinjtë nga Tetova dhe nga rajoni më i gjerë i Tetovës nga komunat e tjera që gravitojnë, do të mund t’i shprehin kapacittet e veta inovative në pjesën e teknologjive të reja. Me këtë do të kontribuojmë që të rinjtë tanë të jenë të përgatitur për tregun e punës”, deklaroi Kasami.

Sipas kryetarit të komunës së Tetovës, u bisedua edhe për bashkëpunimin në qytete me ndihmën e fondeve të BE-së për bashkëpunim tejkufitar.

“U bisedua për projekte të tjera rajonale, posaçërisht në pjesën e aplikimeve të projekteve, projekte tejkufitare të BE-së, si dhe projekte të tjera në fushën e zhvillimit të turizmit, kulturës dhe projektte tët jera në interes të përbashkët të qytetarëve nga komunat të cilat janë pjesë e këtij unioni”, tha Kasami.

Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, vëmendja kryesore u përqendrua te Strategjia Afatmesme 2027–2028 dhe prioritetet e punës për vitin aktual. Diskutimet u fokusuan në tri shtylla kryesore:

Integrimi Evropian: Përafrimi i standardeve të qeverisjes lokale me ato të Bashkimit Evropian.

Thithja e Investimeve: Rritja e kapaciteteve teknike të komunave për të aplikuar dhe implementuar projekte ndërkufitare të financuara nga fondet e BE-së.

Ekonomia dhe Turizmi: Promovimi i një pakete të përbashkët turistike që lidh trashëgiminë kulturore të të gjitha trevave shqipfolëse.

Asambleja mbylli punimet me një zotim të përbashkët për të intensifikuar shkëmbimin e përvojave në sferën e urbanizmit, mjedisit dhe kulturës, duke e parë Unionin si një aktor kyç në stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

Leave a Reply