Tetova i përgjigjet pozitivisht Taravarit

Tetovë, 9 Tetor – Kushdo që ka ndjekur median ditët e fundit është njohur me faktin se Aleanca për Shqiptarët ka ndërmarrë dy veprime të rëndësishme politike. Së pari, ka vendosur që të takojnë çdo degë nëpër çdo qytet për riorganizim të partisë; dhe së dyti, të ftojë të rikthehen ‘figurat e pakënqaura së fundmi’ prej saj.

Nëse vëzhgohen të dyja bashkë, këto veprime shkojnë në të njëjtin drejtim me Taravarin në krye të ASH-së, në drejtimin e hapjes së partisë për të përfshirë edhe kategori qytetarësh që nuk ishin të përfshira deri në këtë moment në proçeset vendimarrëse.

Është e kuptueshme që hapjen po e bën z. Taravari, i cili këtë e dëshmoi sonte me prezencën masovike që pati në Tetovë në takimin me strukturat partiake. Në fakt ka edhe një mundësi tjetër, ajo që ish-përkrahës, të cilëve Taravari iu bëri ftesë për tu rikthyer, sonte ishin aty.

“Tetova merr guximin, t’bëjë ndryshimin!” ishte motoja e takimit dhe prezenca e madhe dëshmon se pakënaqësitë dhe rezultatet e fundit zgjedhore në këtë qytet, me Taravarin në krye të partisë i takojnë të shkuarës.

Ajo që i duhet ASH-së, tha Taravari para tetovarëve, është të hapet ndaj ideve politike rreth të cilave të mblidhen njerëzit që i pranojnë, i kuptojnë dhe i mbështesin këto ide, pasi kjo parti synon ndryshimin te shqiptarët e RMV-së dhe jo thjeshtë rotacionin e partive në pushtet.