Tesla do të ulë çmimet e veturave nëse inflacioni ngadalësohet thotë Elon Musk

Elon Musk iu përgjigj një pyetjeje në Twitter në lidhje me atë se a do t’i ulë Tesla çmimet e veturave të saja.

Kur u pyet se a ka ndonjë plan prej kompanisë në fjalë për uljen e çmimeve pasi që kufizimet e zinxhirit furnizues nuk janë më një problem, Drejtori Ekzekutiv i Tesla tha se nëse inflacioni fillon të zbutet atëherë edhe kompania e tij do të ulë çmimet e veturave.

Nëse ju kujtohet, veturat e para elektrike ishin shumë të shtrenjta, por na u premtua se kur niveli i prodhimit të tyre fillon të ngritet, kostoja e prodhimit do të zbritet, dhe si rezultat i kësaj edhe çmimet e tyre do të jenë shumë më të ulëta.

Por pastaj erdhi situata me pandeminë, e pastaj edhe agresioni rus në Ukrainë, shkruan ArenaEV.

Të gjithë prodhuesit e veturave për momentin janë duke pasur probleme me zinxhirin e furnizimit, e fillimisht u duk se Tesla ishte në rrugë të duhur drejt largimit nga ky problem, por që eventualisht edhe ata morën një “pjesë të dhimbjes” së shkaktuar nga ky problem.

Kostot e lëndës së parë kanë shkuar shumë lartë dhe inflacioni i egër global vetëm sa i ka shtuar benzinë zjarrit që ishte duke u djegur.

Çmimi fillestar i Tesla Model 3 ishte rreth 34,700 euro ndërsa tani është rreth 44,500 euro në tregun amerikan, por që në Evropë ka konsumator që paguajnë edhe çmimin e lartë prej 52,970 euro.

Ngritjet e çmimeve dhe inflacioni janë vetëm një pjesë e ngjarjes në fakt.

Këto dyja janë vetëm një justifikim i shkëlqyeshëm nga ana tyre për t’i ngritur çmimet, por një shikim nga afër i të ardhurave dhe margjinave të fitimit të Tesla tregojnë të vërtetën.

Shifrat e rritjes së fitimeve të Telsa ndër vite

Të ardhurat e tyre janë ngritur vit pas viti teksa në vitin 2021 kishin fitim prej 70.67 për qind, shifër më e lartë se në vitin 2020, dhe viti 2022 pritet të mbyllet me fitim në rritje në 73.04 për qind, shifër kjo më e lartë se e vitit 2021.

Po, është fakt se kompania ka ngritur numrin e prodhimit dhe shitjeve, por që margjinat në fitim janë ngritur gjithashtu.