Tërhiqet transha e 5 me vlerë prej 22,8 milionë euro për kompanitë e vogla dhe të mesme nga huaja e BIE

Shkup, 29 qershor – Banka zhvillimore e Maqedonisë së Veriut (BZHMV) e ka tërhequr transhën e pestë me vlerë prej 22,8 milionë eurove për kompanitë e vogla dhe të mesme nga huaja e Bankës Investuese evropiane. Me këtë transhë sigurohet përkrahje e 43 projekteve të kompanive të vogla dhe të mesme, të cilat do të punësojnë 103 persona të rinj. Prej tyre, 53,1 për qind janë kompani nga sfera e prodhimit.

Siç kumtuan nga Banka zhvillimore, kjo njëheri është edhe transha e fundit nga BIE nga linja e gjashtë kreditore, e  dedikuar për kompani të vogla dhe të mesme me vlerë prej 100 milionë eurove. Me këtë linjë kreditore është dhënë përkrahje për 271 kompani të cilat punojnë 770 persona të rinj. Përkrahja më e madhe është dhënë për kompani të cilat merren me prodhimin e 39 për qind, pastaj tregtia 36 për qind, transporti tetë për qind, ndërtimtaria shtatë për qind, e tjerë.

Deri tani, përmes BIE-së janë tërhequr gjashtë linja kreditore dhe janë investuar 550 milionë euro për përkrahje të 2.361 kompanive të vogla dhe të mesme në shtet.

Banka zhvillimore së bashku me Ministrinë e Financave është në fazë të negociatave me BIE për sigurimin e linjës së re kreditore për përkrahje të kompanive të vogla dhe të mesme dhe për tranzicion e gjelbër me vlerë prej 100 milionë euro, qëndron në kumtesë.