Teatri Metropol prezanton premierën e re “FLI”, një konceptim modern i veprës “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit

Teatri Metropol prezanton premierën e re me titull “FLI”, një konceptim modern dhe aktual i veprës “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit, e sjell nga regjisori Enton Kaca.

Kjo vepër, premiera e së cilës do të ngjitet sot në skenë ora 19:00 dhe do të vijojë në datat 29, 30 prill, 1, 11, 12, 13, 14, 15 maj, është një nga veprat më të njohura të Euripidit që përfshin brenda intriga, mashtrime, rivalitet politik, luftë, hakmarrje, konflikte, ambicie, vetmohim në skenat kryesore të tragjedisë.

A është lufta mjeti i duhur për të zgjidhur konfliktet?! A “sakrifikohet” familja për karrierën personale?! A vlen më shumë krenaria dhe lavdia se arsyeja?! Janë këto linjat dhe idetë mbi të cilat vërtitet historia e shfaqjes “FLI”, personazhet e së cilës përfshihen thellësisht në një diskurs politik, filozofik, ekzistencial mbi luftën dhe pasojat e saj, duke krijuar një pasqyrë të qartë të identitetit njerëzor, ngjashmërisë dhe paralelizmave të këtij identiteti në periudha të ndryshme kohore.

Ushtria greke është mbledhur në portin e Aulidës. Por nisja për luftë vonon në mënyrë të pashpjegueshme. Agamemnoni, komandant i kësaj ushtrie mëson që nisja do të bëhet e mundur vetëm nëse vajza e tij, Ifigjenia, flijohet. Agamemnoni ndërton një skemë që ta bindë gruan ta dërgojë vajzën dhe ndërsa pret ndërron mendje. Ifigjenia vjen në kamp, dhe plani i Agamemnonit zbulohet. Ushtria greke krijon presion dhe në fund Agamemnoni dorëzohet. Ifigjenia kur shikon se nuk ka asnjë shpresë merr vendimin për të shkuar drejt altarit për tu bërë fli.

“Drama vërtitet rreth pavendosmërisë dhe konflikteve që gjeneron komandanti i ushtrisë greke në lidhje me një çështje me të cilën ai duhet të negociojë. Do ta vazhdojë rrugën drejt luftës së premtuar apo do ta braktisë atë? Sakrifica që i kërkohet e ka bërë të pamundur zhvillimin e ngjarjeve dhe ngatërresat midis personazheve vijnë e bëhen më të komplikuara. Konfliktet lindin nga tensioni i krijuar i pritjes, i mos ecjes përpara, mos vënia në plan të qëllimit kryesor pse janë mbledhur të gjithë në Aulidë” shpjegon regjisori Enton Kaca.