Të zgjidhen kryetarët më të mirë – 4 vite janë shumë për të paaftin dhe pak për punëtorin!

Shkup, 30 qershor – Zgjedhjet lokale po afrohen çdo ditë e më shumë, por partitë politike shqiptare ende janë duke u marrë me kalkulime të thella, duke bërë analiza e duke parë se cili kandidat është më i pranueshëm për qytetarët. Përveç autoritetit personal të kandidatëve, sigurisht rëndësi të madhe në zgjedhje ka edhe mbështetja partiake, shkruan “Zhurnal.mk”.

Partitë maqedonase kanë vendosur mbi gjysmën e kandidatëve

Nga ana tjetër partitë maqedonase thuajse i kanë bërë të njohur kandidatët e tyre për kryetar komune. Në një seancë të mbajtur të mërkurën në mbrëmje, Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së përcaktoi 25 kandidatë për kryetar komune që do ta përfaqësojnë partinë në zgjedhjet e ardhshme lokale të planifikuara për tetor. Midis kandidatëve janë një numër i madh i kryetarëve aktualë të komuave që do të kërkojnë një mandat të dytë. Sipas VMRO-DPMNE-së, sondazhet tregojnë se partia dhe kandidatët e saj po udhëheqin bindshëm në komunat ku janë propozuar. Përveç informacionit se po kryhen analiza për kandidatin e tyre për kryetar të Shkupit, ende nuk ka detaje të mëtejshme rreth kandidatëve të tyre në 55 komunat e mbetura në vend.
Nga VMRO-DPMNE thonë se ende janë duke bërë anketa dhe analiza për kandidat për kryetar të Qytetit të Shkupit. Disa emra janë në garë, përfshirë ministrin e Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski dhe kryetarin aktual të Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski.
Ndërkaq, ende vazhdojnë negociatat mes partnerëve qeveritarë ZNAM dhe VMRO-DPMNE lidhur me zgjedhjet lokale,. Edhe pse partia e Maksim Dimitrievskit ka deklaruar se do të garojë e pavarur, megjithatë, do të ketë mbështetje të ndërsjellë, pra atje ku ZNAM do të ketë kandidat, VMRO-DPMNE nuk do të ketë, por do të japë mbështetje që në rrethin e parë.
ZNAM do të ketë kandidat të vetin për Komunën Qendër, gjë që do të thotë se VMRO-DPMNE nuk do të garojë në këtë komunë të Shkupit.
Nga ana tjetër edhe Venko Filipçe, kryetari i partisë opozitare LSDM, më 20 qershor i ka publikuar 19-të emrat për kandidatë në zgjedhjet e ardhshme lokale për kryetar. Disa nga emrat tashmë janë kryetar në disa komuna, shkruan “Zhurnal.mk”.

Shqiptarët ende s’kanë emra – merren me akuza e kundërakuza!

Ndryshe nga tjera herë, këto zgjedhje konsiderohen thelbësore për një kahje të politikës së ardhshme në Maqedoninë e Veriut. Sidomos kjo vlen në kampin politik shqiptar, ku do të maten forcat se kush sa peshon realisht!
Nga ajo që dihet deri më tani është fakti se BDI do të dalë me kandidatin e vet në Tetovë, Çair, Kërçovë, Bogovinë, Bërvenicë, Zhelinë, Studeniçan, Likovë, Dollnen, Pllasnicë dhe Çashkë, ASH-ja e Selës do të ketë kandidatin e vet në Strugë, Dibër dhe Haraçinë, ndërsa ASH-ja e Taravarit do të ketë kandidatin e vet në: Gostivar, Vrapçisht, Saraj dhe Tearcë.
Nga “Fronti Kombëtar” duket se nuk do të ketë kandidat për PDE-në e Arijanit Hoxhës, Lëvizja Populli të Skender Rexhepi-Zejdit, e aq më pak për kreun e PDSH-së Menduh Thaçi, i cili tha se nuk është më pjesë e “Frontit Evropian”.
Tek partitë maqedonase, konservatorët e Mickosit janë favorit sepse vetë të qenurit në pushtet i favorizon këta komuna. Por, tek shqiptarët janë shumë faktorë që do të ndikojnë në rezultatin përfundimtar, në mesin e tyre edhe emri i kandidatit, partia që do e mbështesë, program zgjedhor, por edhe mbështetja nga komunitetet e pakicave.

Zgjedhja e personave të duhur në nivel lokal, do të krijojë parakushtet e nevojshme për të bërë zgjedhjen e personave të duhur për instanca më të larta. Kjo, sidomos nga fakti se, individët të cilët do ta dëshmojnë veten e tyre në nivel lokal, disa sosh prej tyre do të jenë të denjë dhe meritorë që të na përfaqësojnë në nivel nacional, rajonal dhe ndërkombëtar.

Fatkeqësisht, edhe pse ende nuk dihen kandidatët, opozita ka filluar vetëm me akuza, pa pasur ndonjë program zgjedhor me të cilin do të tentojë t’i bindë qytetarët. Nga ana tjetër, VLEN ka filluar të publikojë pjesë të programit të saj me të cilën do të tentojë t’i bind qytetarët.

Është shumë e rëndësishme që qytetarët të vlerësojnë drejtë dhe me vizion për të ardhmen e komunave të tyre dhe të vendit. Qytetarët duhet ta mendojnë se po vendosin për fatin e tyre në katër vitet e ardhshme, prandaj nevojitet që të matin mirë kë do të votojnë para se të vendosin në ditën e zgjedhjeve.

Nevojitet të zgjidhet më i miri, që e ka dëshmuar veten dhe që sakrifikon për të ardhmen e popullit në katër vitet e ardhshme. Kryetarët e komunave duhet të punojnë dhe të jenë në shërbim të popullit çdo moment, e jo vetëm të bëhen kryetar të dëgjueshëm të partisë, e të ulen e të rrijnë këmbëkryq si disa që deri tani nuk bënë asnjë detyrë, shkruan “Zhurnal.mk”.