Të rinjtë viktima të narkotikëve si pasojë e mos informimit!

Shkup, 20 prill – Fenomeni i përdorimit të lëndëve narkotike nga të miturit është tejet shqetësues në Maqedoninë e Veriut, ambientet ku të miturit përdorin këto lëndë janë të ndryshme, përfshirë edhe ambientet shkollore. Kjo flet për një situatë drithëruese ku vendet edukative janë shndërruar në vende degjeneruese dhe degraduese të nxënësve. Në vend të edukatës dhe arsimimit në shkolla “servohen” lëndët narkotike. Mbase, janë një numër i vogël i nxënësve që veprojnë në këtë mënyrë dhe janë konsumues të substancave narkotike, por për moshën në të cilën ndodhen janë të pa vetëdijshëm për veprimet që bëjnë. Rreth 30 persona të moshës nën 14 vjeçare në Tetovë e rrethinë, janë regjistruar si përdorues të substancave narkotike. Nga kjo shifër, 6 janë vajza të evidentuara madje si përdoruese kokainës. Sipas Entit për punë sociale, numri i përdoruesve të lëndëve narkotike në dy vitet e fundit, ka shënuar rritje enorme. Për të evidentuar raste të tilla nuk duhet ndonjë gjurmim i thellë, thjesht një aksion policor në cilindo shkollë të vendit nuk do mend që do të rezultojë me gjetje të lëndëve narkotike. Kjo nënkupton se tashmë ky fenomen është bërë shprehi e rutinë, mungesa e një strategjie të mirëfilltë për trajtimin e rasteve të tilla, mungesa e qendrave speciale, si dhe vakumi në edukim krijon terren të pastër për degjenerim, shkruan Zhurnal.

Tmerruese, në Tetovë të miturit përdorin narkotikë –

Mbase, nuk është vetëm qyteti Tetovës, pasi ky fenomen është i përhapur gjithandej në vend. Shkollat si institucione edukative – arsimore janë shndërruar në vend takime për përdorim, shitje të lëndëve narkotike. Nxënësit janë në moshën më delikate ku kanë nevojë për përkrahje dhe mbështetje të madhe për të mos devijuar nga ajo që është normale dhe që kërkohet prej tyre. Nga ana tjetër institucionet arsimore dhe ato të sigurisë duhet të jenë në gjendje gatishmërie për të garantuar edukim adekuat dhe siguri në hapësirat e shkollës, që mos të jetë liria absolute që nxënësit të mbajnë armë në çantat e tyre e shkollat t’i kenë vend takime për shkëmbime të lëndëve narkotike.

Rreth 30 persona të moshës nën 14 vjeçare në Tetovë e rrethinë, janë regjistruar si përdorues të substancave narkotike. Nga kjo shifër, 6 janë vajza të evidentuara madje si përdoruese kokainës. Sipas Entit për punë sociale, numri i përdoruesve të lëndëve narkotike në dy vitet e fundit, ka shënuar rritje enorme. Të dhënat e televizionit Alsat flasin për numër dyfish më të lartë të përdoruesve të lëndëve narkotike pasi shumë prej tyre nuk kanë të evidentuar nga institucionet përkatëse. Sipas psikologes Cvetkovska, faji për këtë rritje të numrit të fëmijëve që përdorin substancat narkotike, bie kryesisht mbi prindërit të cilët më tepër përkushtohen ndaj punës se sa ndaj fëmijëve të tyre.

“Në dy tre vitet e fundit numri është rritur, jo i të varurve por të atyre që e provojnë sepse për të qenë të varur duhet më gjatë të jenë përdorues. Tani kufiri i moshës së atyre që e përdorin është zvogëluar. Nëse para dhjetë viteve provues kanë qenë fëmijët e shkollave të mesme apo të moshës mbi 14 vjeç, tani kjo moshë është shumë më e vogël, kemi nxënës të moshën nën 12 vjeçare. Në këtë kohë të tranzicionit prindërit vërtetë janë në gjendje të vështirë. Sikur nuk kanë kohë për fëmijët e tyre. Një palë merren me skamjen pra ku të gjejnë para për ti rritur për ti paguar faturat dhe kjo sikur e harrojnë një të vërtetë shumë të madhe”, tha Olivera Cvetkovska, psikologe në Entin për punë sociale.

Psikologët rekomandojnë takime sa më të shpeshta të prindërve, me kujdestarët e klasave por edhe pedagogët e shkollave. Por, sa realisht ndodh kjo, dhe sa prindërit kanë interesim për tu takuar me këto organe të shkollës, për të biseduar për fëmijën e tyre. Pedagogeja e shkollës së mesme të mjekësisë Zira Murati thotë se interesimi i prindërve për fëmijët e tyre është shumë i ulët.

“Shumica e prindërve apo rreth 70 për qind e prindërve kanë një interesim shumë të vogël dhe në shkollë vijnë gjithnjë pas ndonjë ndodhie, zënkë apo diç tjetër. Nuk interesohen për suksesin e nxënësve, por ka edhe prindër që kanë interesim dhe mendojnë se gjithçka është tek vlerësimi i nxënësit dhe në anën tjetër nuk shohin rrjedhën së çka realisht ndodh me fëmijën e tyre. Prindërit si zakonisht vijnë vetëm në mbledhje prindore, ku ka raste që edhe në mbledhje nuk vijnë”, u shpreh Zira Murati, pedagoge në Sh. M. të Mjekësisë.

Gjatë vitit të kaluar, Sektori i punëve të brendshme të Tetovës, ka regjistruar gjithsej 93 vepra penale për prodhim dhe shpërndarje të narkotikëve.

“Sa i përket veprës penale prodhim dhe shpërndarje të narkotikëve dhe pre kursorëve, në SPB Tetovë gjatë vitit 2022, janë regjistruar gjithsej 93 vepra penale për të cilat, ne si sektor deri në prokurori kemi dorëzuar 87 kallëzime penale kundër 111 shkelësve”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë. Nga Sektori i punëve të brendshme i Tetovës, thonë se po bëjnë gjithçka për luftimin e kësaj dukurie dhe se çdo ditë ky sektor ndalon të paktën një shitës apo përdorues të drogës. /Alsat.mk

Mungon një strategji e mirëfilltë për siguri dhe edukim –

Shkollat janë institucione edukative – arsimore, nxënësit janë në meshën më delikate dhe nuk janë të vetëdijshëm për pasojat e veprimeve të tyre. Fenomeni i përhapur tashmë në çdo shkollë që pas çdo aksioni policor të kapen nxënës me substanca narkotike është tregues se në çfarë niveli ndodhen shkollat në vendin tonë. Shqetësuese dhe tmerruese kur dëgjohet që të rinjtë viktimizohen si pasojë e mungesës së informimit për dëmet që vijnë nga përdorimi i substancave narkotike.

Prandaj, duhet një mobilizim i gjithanshëm për krijimin e një strategjie e cila do të ishte efikase dhe do të prodhonte rezultate produktive në reduktimin e këtij fenomeni tashmë të përhapur. Ministria e Arsimit, OJQ-të e ndryshme, institucionet e sigurisë duhet që njëzëri nëpërmjet takimeve informuese, fletushkave të ndryshme, të senzibilizojnë nxënësit për dëmet dhe pasojat që shkaktojnë përdorimi i klëndëve narkotike.

Nga ana tjetër, trekëndëshi fëmija – prindi – mësimdhënësi duhet të fuqizohet edhe më shumë që rastet e tilla të parandalohet, të merren masa preventive dhe të jenë në kontakt të përhershëm për kohën se si fëmijët e kalojnë në shkollë, dhe ndihma që i ofrohet nga stafi. Mes tjerash vlen të theksohet që është më se e nevojshme pikërisht në këtë epokë të ketë prindërim më të përgjegjshëm. /Zhurnal.mk