Të punësuarit në Posta 30 vjet paga të njëjta, paralajmërojnë protesta

Shkup, 18 mars – Të punësuarit në Postën e Maqedonisë janë të pakënaqur me pagat e tyre. Ata thonë se për 30 vjet rrogat e rreth 80% prej të punësuarve nuk kanë pësuar ndryshim.

Sindikata e të punësuarve në Postën e Maqedonisë ka paralajmëruar protestë për të dielën para zyrave qëndrove të Postës dhe më pas para Qeverisë.

Ata thonë se me rritjen e pagës minimale duhet të rishikohen edhe pagat e tyre, sepse me ato aktuale nuk mund, siç thonë, të kenë një standard dinjitoz për jetesë. Të punësuarit në postë tashmë disa herë kërkojnë rritje të pagave.

Edhe gjatë vitit të kaluar ata i bënë apel Qeverisë që të plotësojnë kërkesën e tyre për rritje pagash, pasi siç thonë kjo është në përputhje me Memorandumin e Bashkëpunimit dhe Mirëkuptimit nga data 18 dhjetor 2019 në të cilin Punëdhënësi dhe sindikatat marrin përsipër të gjejnë mënyrë për realizimin e rritjes së pagave të punëtorëve. Sindikata përfshin rreth 1700 anëtarë të punësuar në veprimtarinë e postës dhe telekomunikacionit në vend.