Të punësuarit e “Rrugë e Rrugica” mbetën pa paga; pagat e punonjësve në konton e “Pucko Petrol”

Shkup, 20 shtator – Të punësuarit në Ndërmarrjen Publike “Rrugë dhe Rrugica” akuzojnë ushtruesin e detyrës drejtor i ndërmarrjes Vanço Umlenski se nuk ua paguan rrogat edhe pse Qyteti i Shkupit në konton e ndërmarrjes ka lëshuar 40 milionë denarë.

Në një reagim anonim, të punësuarit thonë se u.d drejtori Umlenski, gjoja ka marrë kompjuterin e sektorit të Financave dhe të gjitha mjetet i ka transferuar te furnizuesit, në mesin e të cilëve 19 milionë denarë kompanisë “Pucko Petrol”.

Për pagat e punonjësve ndërkohë nevojiten 15 milionë denarë, thonë ata. Të punësuarit në ndërmarrjen “Rrugë dhe Rrugica” ankohen edhe për presione. Gjatë grevës së vitit të kaluar për mos pagesën e pagave, tre persona janë larguar nga puna.

Edhe pse Këshilli Drejtues i ndërmarrjes ka anuluar largimet, u.d drejtorët nuk i kanë kthyer në vendet e tyre të punës, prandaj thonë se kanë frikë të dalin në grevë ose protesta.